Kosova
Skandal në aeroportin e Shkupit, sigurimi i aeroportit tenton ta shtyjë fizikisht presidenten Osmani
Një incident i rëndë ka ndodhur në Aeroportin e Shkupit, mes sigurimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe sigurimit të aeroportit.
Këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina ka shpjeguar se si ka ndodhur i gjithë rasti.
Sigurimi i aeroportit në Shkup kishte tentuar që t’ia marrë telefonin dhe cantën e saj personale presidentes Vjosa Osmani.
Me të parë situatën e krijuar, policët e Kosovës, të cilët janë pjesë e mbrojtjes së afërm të presidentes Vjosa Osmani, kanë nxjerrë armën brenda hapësirave të aeroportit.
“Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave që ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten, me ç’rast është detyruar të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën. Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”, ka thënë Kupina.
Kupina e ka falënderuar kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, për intervenimin në gjithë situatën e krijuar në aeroportin e Shkupit.
“Sjellja arrogante dhe e dhunshme e zyrtarit të Aeroportit të Shkupit është e paprecedente dhe nuk ka ndodhur asnjëherë në asnjë udhëtim të presidentes kudo në botë, përfshirë në shtete jonjohëse. Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident. Presidentja e ka njoftuar për këtë skandal diplomatik të shkaktuar nga pala maqedonase kryetarin e Kuvendit, z.Afrim Gashi, të cilin e falënderon për ndihmën e ofruar. Vlen të përmendet se pas hyrjes së Presidentes në aeroplan, Aeroporti i Shkupit nuk e ka lejuar aeroplanin komercial të niset edhe për më shumë se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejon nisjen, për shkak se nuk do të ishte gati për aterrim. Kabineti i Presidentes e ka kontaktuar palën sllovene, të cilët na kanë informuar që një gjë e tillë absolutisht nuk është e vërtetë dhe se aeroplani do të mund të ateronte në kohën e planifikuar. Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundershtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetërorë si sulm ndaj vetë shtetit të Kosovës. Republika e Kosovës, asnjëherë në historinë e saj, nuk ka trajtuar në menyrë të tillë Presidentin/Presidenten, Kryeministrin apo Ministrat e Maqedonisë së Veriut e as të ndonjë vendi tjetër, e as nuk do të lejojë një ndonjëherë një gjë të tillë”, ka përfunduar ai. /Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Leona Krasniqi, krenaria shqiptare në garën për Miss Belgium 2026 E reja nga Antwerpeni synon të shkëlqejë në një nga konkurset më prestigjioze të bukurisë në... -
Nga Shkodra në garën për Miss Belgium 2027, Griselda Stragu synon të shkëlqejë në skenën ndërkombëtare -
Arbenita Sopaj publikon librin e saj shkencor, kurorëzon një tjetër sukses akademik -
Gjermani
I riu nga Kosova, Adrian Simnica, mban fjalim në Bundestagun Gjerman -
Fatlume Bunjaku bëhet anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit
Jeta në Zvicër
-
Edhe 10 vjet ndalesë për “Hamas”-in në Zvicër Periudha e vlefshmërisë së ndalimit të Hamasit në Zvicër, e cila ka qenë në fuqi prej... -
Qeveria zvicerane lançon një platformë digjitale raportimi për sëmundjet -
Taksitë autonome të Postës Zvicerane do të transportojnë pasagjerë nga viti 2027 -
Këshilli Federal dëshiron të imponojë gjuhën e dytë kombëtare në shkollat fillore -
Swissaid ndihmoi 300,000 njerëz në mbarë botën në vitin 2025











