Opinione
Përse të paguajmë më shumë se të tjerët për sigurimin e automjeteve!?
Është pikërisht shtetësia ajo që shpesh ndikon që tarifat për disa persona të jenë shumë më të larta se sa për disa shtetas të tjerë
Nga Lirim Begzati
Jo të gjithë, sidomos jo ata që tashmë janë bartës të pasaportës zvicerane, por prapëseprapë janë të shumtë personat që paguajnë më tepër se sa disa të tjerë për sigurimet e veturave të tyre në Zvicër.
Janë kryesisht disa nga arsyet vijuese që e sqarojnë këtë:
Rregullat që mbizotërojnë në fushën e së drejtës private zvicerane – ku përfshihen edhe kontratat e sigurimit të automjeteve – e privilegjojnë lirinë kontraktuese, e cila nënkupton se propozuesi i kontratës ka të drejtë që lirshëm të definojë tarifat që i përshtaten atij, duke qenë kështu i lirë që të lidhë apo jo një kontratë me një individ.
Me fjalë të tjera, ashtu si edhe në lëmin e punës apo qirasë së banimit, edhe në atë të sigurimeve, një kompani për sigurimin e automjeteve nuk është aspak e detyruar të lidhë kontratë me dikë që duket se nuk i konvenon!
Apo ndodh që një kompani do t’i pranojë të gjitha kategoritë e personave të interesuar, por duke aplikuar disa kritere specifikë pranimi ku përfshihet edhe shtetësia e kandidatit. Kjo e fundit ndikon drejtpërdrejt edhe në caktimin e nivelit të tarifës së sigurimit.
Është pikërisht shtetësia ajo që shpesh ndikon që tarifat për disa persona të jenë shumë më të larta se sa për disa shtetas të tjerë.
Këtu e gjejmë pra sqarimin që disa sigurime aplikojnë tarifa më të larta për disa shtetas të huaj, ku përfshihen edhe shtetasit e viseve tona, të cilët konsiderohen nga disa kompani si shpenzues potencialisht më të lartë të sigurimeve.
Mënyra e tillë e veprimit të disa sigurimeve natyrisht se bie ndesh me rregullat që kanë të bëjnë me barazinë dhe mosdiskriminimin.
Megjithatë, duhet pranuar se edhe mekanizmat juridikë të shtetit zviceran tregohen të pafuqishme për luftimin e padrejtësive eventuale në këtë fushë, pasi që parimi i lirisë kontraktuale është ai i cili dominon.
Është thjesht një parim kushtetues, ashtu si edhe parimi i mosdiskriminimit, por ky i fundit nuk e ka aspak lehtë t’iu përballet rregullave të lartpërmendura të lirive që e karakterizojnë fushën e kontratave.
Në këndvështrimin e mirëfilltë juridik, do të ishte një betejë jashtëzakonisht e vështirë nëse synohet kontestimi i praktikës së tillë të sigurimeve.
Edhe disa tentime të deritanishme në disa raste të rralla nuk kanë dhënë asnjë rezultat të kënaqshëm, në përjashtim të vlerës së veprimeve të tilla për sensibilizimin e publikut të gjerë për një problem që ekziston realisht.
Në praktikën zvicerane nuk aplikohet detyrimisht modeli i sigurimeve i quajtur «bonus malus», i cili mundëson që të bazohemi në kritere më precize për të individualizuar përgjegjësinë, edhe atë duke mbajtur një llogari më të qartë për çdo rast, që mundëson pastaj përshtatjen e tarifave për çdo individ.
Një aplikim i përpiktë i metodës së tillë mundëson të shmanget nevoja që të merret parasysh edhe kriteri i shtetësisë. Praktika e tillë nuk është as e detyrueshme e as aq e pranishme në Zvicër në krahasim, për shembull, me Francën, Belgjikën e Greqinë.
Kjo nuk domethënë aspak se në Zvicër nuk merren parasysh një sërë kriteresh para se të lidhet apo të përshtatet një kontratë sigurimi, por prapëseprapë përkatësia nacionale e kandidatit mban një peshë të madhe.
E-Diaspora
-
Magazina albinfo.ch vjen me numrin special, Vera `26 Në fokus të numrit më të ri të revistës Albinfo.ch janë pushimet verore të diasporës, me... -
Yll Gashi vazhdon aventurën me Bayern Munichun, rinovon kontratën deri në vitin 2028 -
“Helvetia Gold”: Modeli shqiptar i suksesit në zemër të Cyrihut -
Amerikë
Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University” -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Çmimet e banesave vazhdojnë të rriten, Cyrihu kryeson me rritjen më të madhe Në qershor, çmimet e shtëpive dhe apartamenteve shënuan rritje në mbarë vendin, ndërsa rajoni i Cyrihut... -
Fishekzjarrët mund të ndalohen për Festën Kombëtare të 1 Gushtit -
Gjermania kundërshton zgjerimin e Aeroportit të Cyrihut -
Zvicër: SVP kërkon që komunat të kenë të drejtën e vetos për hapjen e qendrave të azilit -
Magazina albinfo.ch vjen me numrin special, Vera `26














