Lajme
Cilat vende në Evropë u japin më shpesh shtetësi rezidentëve të huaj?
Vendet e BE-së i kanë dhënë shtetësinë 1,050,100 banorëve të huaj në vitin 2023, zbuluan të dhënat më të fundit nga Eurostat, zyra statistikore e BE-së.
Kjo është një rritje prej mbi 6 për qind krahasuar me vitin 2022 dhe nuk merr parasysh natyralizimin e personave që jetojnë jashtë vendit, për shembull ata që kanë marrë shtetësinë me martesë ose prejardhje.
Spanja ishte vendi që dha numrin më të madh të shtetësive (240.200), e ndjekur nga Italia (213.600), Gjermania (199.800) dhe Franca (97.300). Ndërsa pritet disi që vendet më të mëdha të regjistrojnë numrin më të madh të qytetarëve të rinj, Suedia – shteti i dhjetë i BE-së për nga popullsia – ishte e pesta (67,800) në renditjen e natyralizimeve.
Në përgjithësi, këto pesë vende përbënin 78 për qind të shtetësive të reja në BE në vitin 2023.
Suedia ishte gjithashtu e dyta ndër vendet me numrin më të lartë të shtetësive në raport me popullsinë totale (6.4 për mijë persona), e paraprirë nga Luksemburgu (8.8), dhe pasuar nga Spanja (5), Belgjika (4.7) dhe Italia (3.6).
Sidoqoftë, Suedia gjithashtu regjistroi rënien më të madhe në numrin e natyralizimeve krahasuar me vitin 2022 (në rënie me 24,400), e ndjekur nga Franca (minus 17,200) dhe Portugalia (minus 3,800).
Rritjet kryesore ishin në Spanjë (58,600 banorë më shumë iu dha shtetësia në krahasim me 2022), e ndjekur nga Gjermania (33,200) dhe Belgjika (6,700).
“Shtetësia është lidhja ligjore midis një individi dhe një shteti, e fituar nga lindja, natyralizimi ose mjete të tjera sipas legjislacionit kombëtar”, thotë Eurostat. Njerëzit që marrin nënshtetësinë në një shtet anëtar të BE-së gjithashtu fitojnë automatikisht shtetësinë e BE-së, e cila, ndër të tjera, u jep të drejta të lëvizjes së lirë në të gjithë bllokun dhe të drejta zgjedhore në zgjedhjet lokale dhe evropiane.
Tre kombësitë kryesore për natyralizime në vendet e BE-së në vitin 2023 ishin siriane, marokene dhe shqiptare, si një vit më parë. Ata u pasuan nga rumunët dhe venezuelianët.
Shumica dërrmuese (87.6 për qind) e njerëzve të cilëve u është dhënë nënshtetësia e BE-së në vitin 2023 ishin nga vende jo-anëtare të BE-së, ndërsa përqindja e qytetarëve të natyralizuar në një shtet tjetër anëtar të BE-së mbetet e ulët (10.7 për qind). Vetëm në Hungari dhe Luksemburg shumica e shtetësive të reja (64.4 dhe 60.6 përqind respektivisht) iu dhanë shtetasve të tjerë të BE-së.
Një tregues tjetër i përdorur nga Eurostat për statistikat e shtetësisë është përqindja e shtetësive të dhëna mbi popullsinë jo-kombëtare.
Kjo ishte më e larta në Suedi (7.9), e ndjekur nga Rumania (5.9) dhe Italia (4.1). Norma më e ulët e natyralizimit ishte në Letoni (0.4) dhe Lituani (0.1). Mesatarja e BE-së ishte 2.6.
Gratë ia kalonin meshkujve për marrjen e nënshtetësisë në të gjitha, përveç 7 vendeve të BE-së (Gjermani, Lituani, Rumani, Suedi, Hungari, Irlandë dhe Maltë), me përqindjen më të lartë në Kroaci (62.2 përqind).
Gjermania, nga ana tjetër, ishte vendi me përqindjen më të lartë të marrjes së shtetësisë nga meshkujt (54.7 për qind). Por për BE-në në tërësi shpërndarja gjinore ishte pothuajse e barabartë, me 50.8 për qind të shtetësive të reja të dhëna për gratë dhe 49.2 për qind për burrat.
Fëmijët nën moshën 15 vjeç përfaqësonin pothuajse një të katërtën (24,5 për qind) të personave që u është dhënë shtetësia e një vendi të BE-së, me përqindjen më të lartë në Francë (35 për qind), Greqi (30,8 për qind) dhe Danimarkë (29,7 për qind). Përqindja më e ulët e qytetarëve të rinj sipas grupmoshës ishte për personat mbi 45 vjeç./The Local
E-Diaspora
-
Gjermani
Kosova me ligj të ri për shtetësinë, lehtësohen procedurat për diasporën në Gjermani Nga 22 maji kanë hyrë në fuqi rregulla të reja për regjistrimin, ri-fitimin dhe natyralizimin e... -
Albin Kurti nesër në Zvicër, takim me mërgatën shqiptare në Cyrih -
LDK mban takim me bashkatdhetarë në Vjenë -
Koncerti Zvicerano-Kosovar bashkon diplomacinë, kulturën dhe miqësinë në SHBA -
Zvicër
Policia zvicerane arreston 67-vjeçarin nga Kosova si të dyshuar për tentim mashtrimi me telefon
Jeta në Zvicër
-
Mijëra zviceranë demonstrojnë kundër iniciativës “10 milionë” Në pankarta shkruante veç tjerash, se do të ishte më mirë të kufizoheshin emetimet e CO2... -
Jans nxit reagime me krahasimin e nismës “10 milionëshe” me Brexit-in -
Zvicra zgjeron sanksionet ndaj Rusisë -
Dy gjyqtarët në lidhje dashurie mbeten në detyrë -
Spitali Universitar i Cyrihut raporton në prokurori 10 vdekje të dyshimta













