Kosova
Kroacia flet për marrëveshjen ushtarake me Kosovën dhe Shqipërinë, porosia për vendet tjera
Qeveria e Kroacisë lidhur me deklaratën e nënshkruar nga tri vendet, më 18 mars, komentoi se nisma e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë për bashkëpunim në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, “është e hapur edhe për aleatë e partnerë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, që “duan të kontribuojnë në ndërtimin e stabilitetit, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajonin e Evropës Juglindore”.
Sipas saj, nismës mund t’i bashkohen të gjitha vendet që, po ashtu, duan t’i ofrojnë mbështetje Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.
Qëllim i saj “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake”.
“Një aleancë e tillë – përveç anëtarësimit në NATO – as që është e nevojshme”, theksohet në përgjigjen me shkrim të Qeverisë kroate, dërguar Radios Evropa e Lirë.
Ndryshe nga Shqipëria dhe Kroacia, Kosova nuk është anëtare e NATO-s.
Në reagimet e tij të para ndaj nismës, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se me nënshkrimin e dokumentit, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova “kanë hapur një garë armësh në rajon” dhe “kanë shkelur marrëveshjen nënrajonale të vitit 1996”.
Kjo marrëveshje, e cila ka të bëjë me kuotat e lejuara në armatim, u nënshkrua atëkohë nga dy entitetet e Bosnje e Hercegovinës – Federata e Bosnje e Hercegovinës dhe Republika Sërpska, si dhe nga Kroacia dhe nga Republika Federale e Jugosllavisë, e cila përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi.
Në deklaratën dhënë Radios Evropa e Lirë, Qeveria kroate thotë se kjo marrëveshje është zbatuar vazhdimisht për 29 vjet.
Ajo, po ashtu, kujton se as Shqipëria dhe as Kosova nuk janë palë në atë marrëveshje.
“Në këtë kontekst, është krejtësisht e kotë të lidhet me Deklaratën e përbashkët, të nënshkruar së voni ndërmjet Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, qëllimi kryesor i së cilës është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet ministrive të mbrojtjes të vendeve mike, partnerëve dhe aleatëve”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kroacisë.
Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Mbrojtjes e këtij vendi nuk iu përgjigjën pyetjes së Radios Evropa e Lirë se përse e shohin si kërcënim nismën e tri vendeve ballkanike.
Por, Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, thotë se Beogradi zyrtar “e di fare mirë” se aleatët e NATO-s nuk mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme kundër Serbisë.
“Për më tepër, tri vendet e përmendura nuk paraqesin asnjë kërcënim për Serbinë”, thotë Serwer.
Deklaratën e tri shteteve ai thotë se e sheh si “një lëvizje që kontribuon në stabilitet, jo në destabilizim”.
Ai vlerëson se Kosova ka vepruar “mençur” që ka lidhur partneritet me Shqipërinë dhe Kroacinë, të cilat janë vende anëtare të NATO-s.
NATO-ja e komentoi gjithashtu Deklaratën, duke e cilësuar si marrëveshje trepalëshe mes tri vendeve.
“NATO-ja, si organizatë, nuk është pjesë e iniciativës dhe, për këtë arsye, nuk ka pasur ndonjë rol në procesin e konsultimit”.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Dhuna në familje: shenjat, frika dhe parandalimi – përkrahja në Zvicër Në këtë intervistë, Blertë Berisha nga DOA (Dachorganisation Frauenhäuser Schweiz und Liechtenstein) flet për shenjat e... -
Reperi EAZ publikon këngë në mbështetje të Përparim Avdilit -
Samiti i Diasporës Shqiptare rikthehet me edicionin e katërt -
Rusi
Ramë Lahaj performon në Rusi, promovon kulturën dhe këngën shqipe -
Gjermani
Dy qytete në Gjermani drejt hapjes së shkollave shqipe
Jeta në Zvicër
-
Studimi: Tokat e Evropës janë 70 përqind të mbuluara me pesticide Një studim i ri ndërkombëtar sugjeron që i gjithë ekosistemit të tokës duhet t'i kushtohet më... -
Karnavalet zvicerane forcojnë masat e sigurisë nga zjarri pas tragjedisë në Crans-Montana -
Niveli i rrezikut 3: Alarm për stuhi në disa kantone zvicerane -
Ligjet e reja zvicerane që hyjnë në fuqi nga sot -
Numri i të vdekurve nga zjarri në Crans-Montana shkon në 41












