Lajme
Parlamenti mbështet iniciativën e taksimit individual për çiftet e martuara
Pas 25 vitesh debate dhe dështimesh të njëpasnjëshme në nivel federal, Zvicra po hedh hapat e para drejt taksimit individual të çifteve të martuara, duke synuar heqjen e ashtuquajturit “ndëshkim i martesës”. Këshilli i Shteteve e mbështeti të martën me 23 vota pro dhe 22 kundër iniciativën popullore të ndërmarrë nga Gratë e FDP-së, duke ndjekur shembullin e Asamblesë Kombëtare, e cila kishte votuar më parë në favor me një diferencë të ngushtë, shkruan RTS, transmeton albinfo.ch.
Aktualisht, çiftet e martuara në Zvicër paguajnë më shumë taksa për të njëjtat të ardhura krahasuar me çiftet e pamartuara, gjë që për shumëkënd konsiderohet diskriminuese. Iniciativa e propozuar synon të barazojë trajtimin tatimor dhe të nxisë punësimin e grave, të cilat shpesh dekurajohen të punojnë më shumë për shkak të tatimeve të larta në rast të të ardhurave të dyfishta në familje.
Projektligji gëzon mbështetjen e një shumice të përbërë nga e Majta, PLR dhe PVL, ndërsa Qendra dhe UDC (SVP) e kanë kundërshtuar ashpër, duke e quajtur një “revolucion tatimor” që ndëshkon familjet tradicionale me një të ardhur të vetme. Sipas tyre, përfituesit janë një pakicë, ndërsa shumica e familjeve do të humbasin për shkak të këtij modeli, transmeton albinfo.ch.
Debatet kanë qenë të tensionuara, por në fund, presidenti i Këshillit të Shteteve, Andrea Caroni (PLR/AR), ka dhënë votën vendimtare në favor të reformës.
Pavarësisht se Këshilli Federal nuk e mbështeti futjen e këtij ndryshimi në Kushtetutë, ai paraqiti një kundërpropozim indirekt, i cili ka marrë miratimin e dy dhomave. Reforma pritet të kushtojë 600 milionë franga në vit për Konfederatën, më pak se plani fillestar prej 800 milionësh.
Një tjetër pikë përplasjeje ishte mundësia e transferimit të zbritjeve tatimore të fëmijëve midis prindërve, e propozuar nga Qendra dhe SVP. Kjo u refuzua ngushtë nga Këshilli i Shteteve, duke ruajtur parimin e taksimit individual.
Projektligji tani është gati për votimin përfundimtar në Parlament. Nëse kundërpropozimi i Këshillit Federal miratohet dhe nuk ka referendum, iniciatorët e projektit, Gratë e FDP-së, pritet të tërheqin iniciativën e tyre.
Megjithatë, në sfond mbetet një tjetër iniciativë nga Partia e Qendrës, që propozon një model të dyfishtë për llogaritjen e taksave, duke zgjedhur versionin më të favorshëm për çiftin. Ky projekt do të shqyrtohet pas përfundimit të debatit mbi taksimin individual, për shkak të qëllimeve të kundërta që përfaqëson, transmeton albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kampionati botëror: Austria, në kërkim të një vendi për në fazën eliminatore Të dielën herët në mëngjes (Ora: 4:00), kombëtarja austriake përballet me Algjerinë në Kansas City (ShBA),... -
Nga Cyrihu drejt Amerikës, Ansambli “TROJET” çon kulturën shqiptare në Festivalin “Lahuta 35” -
Pulmologu shqiptar realizoi ëndrrën në Austri: Dr. Mefail Muji hap ordinancën e tij në Vjenë -
Ansambli “Vatra” sjell atmosferë shqiptare në “Albanifest” të Winterthurit -
Itali
I burgosuri me origjinë nga Kosova arratiset nga spitali në Itali, dyshohet se mashtroi gardianët
Jeta në Zvicër
-
Temperaturat deri në 38°C në Zvicër – Autoritetet kërkojnë vigjilencë maksimale Moti i nxehtë pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim, duke rritur rrezikun për shëndetin... -
Vjedhje me thyerje në një dyqan armësh – Plagosen dy policë -
Komiteti i Senatit, kundër tarifës prej 50 frangash për dhomat e urgjencës -
Ia marrin pensionistit 80,000 franga, një pensioniste shpëton në momentin e fundit -
39 gradë në Zvicër: Rekordi i nxehtësisë për qershor u thye pas vetëm një dite











