Kosova
Në kërkim të zgjidhjes për bllokadën në Kuvend, Osmani takon nesër krerët partiakë “veç e veç”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i presë në dy ditët e ardhshme në takim udhëheqësit e partive politike në përpjekje për dalje nga ngërçi politik.
Partitë politike tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa për dallim nga herët e kaluara, formati i takimeve kësaj radhe do të jetë “veç e veç”, përcjell albinfo.ch.
Ky është takimi i dytë që presidentja Osmani pritet ta ketë me krerët politikë rreth bllokadës parlamentare.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ishte i pari që konfirmoi se ka pranuar një ftesë nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për një takim, për të mërkurën.
Krasniqi e ka vlerësuar si pozitive angazhimin e Osmanit, por është shprehur skeptik për sa i përket rezultatit të takimit.
“Qëndrimi ynë është ai që kemi pasur gjithmonë. Ka dy tre muaj që mundohemi me gjetë zgjidhje, me ofru kompromise, për të dalë nga kjo situatë. Nesër prapë do të jem te presidentja. Këtë e shoh pozitive në kuptimin e angazhimit, por s’di çka të them për mundësinë e rezultatit, sepse bllokada është prodhim i kryeneçësisë politike të VV-së”, ka thënë Krasniqi.
Gatishmërinë për takim e theksuan edhe nga partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje. Këtë e tha deputetja Albulena Haxhiu, e cila nuk përjashtoi mundësinë që edhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, të ftojë krerët politikë edhe në një takim tjetër.
“Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në takimet e radhës të ftuara nga presidentja Osmani. Nuk përjashtojmë asnjëherë që të ketë takime që ftohen edhe nga kryetari Kurti. Është e pakuptimtë që të shkosh në takim dhe të mos bësh asnjë lëvizje. Për sa kohë ne kemi bërë lëvizje, i ka përmendur edhe kryetari Albin Kurti pas takimit që i ka ftuar”, tha Haxhiu.
Pjesëmarrjen në takim për gazetën online Reporteri.net e konfirmuan edhe nga LDK-ja e AAK-ja.
Partitë politike nuk po arrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligon që kjo të bëhet brenda 30 ditësh. Kushtetuesja ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi. Rezultat nuk prodhoi as një takim që kreu i VV-së, Albin Kurti, pati të shtunën me krerët e partive të tjera.
Ndonëse pati propozime, ky takim përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së dolën nga takimi me kritika ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes, duke e quajtur këtë takim një farsë dhe pa asnjë vullnet real për kompromis.
Në anën tjetër, Kurti deklaroi se VV-ja si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte ofruar dy opsione kompromisi, por ato ishin refuzuar nga ish-opozita. Ai theksoi se partia e tij ka përgjegjësi për formimin e qeverisë, por formimi i Kuvendit është përgjegjësi e përbashkët, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Propozimet e kompromisit”, siç i ka quajtur Kurti, kanë të bëjnë me votimin e fshehtë dhe votimin në pako të kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve.
Kurti akuzoi PDK-në dhe LDK-në për keqlexim të aktgjykimit të Kushtetueses.
Kosova po hyn në muajin e pestë të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe në muajin e tretë që kur është mbajtur seanca e parë për konstituimin e Kuvendit. Që nga 15 prilli, seanca konstituive ka dështuar në 40 vazhdime të saj.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka zgjedhur Kryesinë e re Në fjalën e tij pas zgjedhjes, Kryetari i ri, z. Zenun Krasniqi, falënderoi anëtarët për besimin... -
Prishtina fiton Kupën e Diasporës, pas penalltive mposht Kosovën e Gjenevës -
Dua Lipa në International Booker Prize Awards: Letërsia është ura më e fortë mes kulturave -
Mos i hidhni zarfet e votimit në kosh, vota juaj mbron pagën dhe të ardhmen në Zvicër -
Lozanë: Lot, emocione dhe kujtesë në promovimin e librit “Për ata që nuk u kthyen”
Jeta në Zvicër
-
Shumë të moshuar për të marrë me qira: Diskriminimi zviceran ndaj të moshuarve në pasuri të paluajtshme Një çift pensionistësh dëshmon në programin On en parle: pavarësisht pensioneve AHV, kursimeve dhe mungesës së... -
Tërheqjet e produkteve që nuk përputhen me standardet janë gjithnjë e më të shumta në Zvicër -
“Zhurmë për vjedhje”: Sanduiçët peshojnë 14 gramë më pak, reagon Migros -
Zvicër: Proces gjyqësor me një çift serb dhe 40 gra të skllavëruara si pastruese -
Pse mbajtësit e lejes B në Zvicër fitojnë më shumë se banorët e përhershëm?












