Futboll
Behar Neziri, nga akademia e Bayernit te zemra e mesfushës së St. Gallenit
Nga largimi prej Bayernit te shkëlqimi në St Gallen dhe përfaqësimi i Kosovës
Behar Neziri është një tjetër emër i futbollit kosovar që po shkëlqen në Zvicër. Mesfushori 22-vjeçar, që sot konsiderohet ndër lojtarët më të mirë defensivë të Superligës zvicerane, po lë gjurmë me paraqitjet e tij të jashtëzakonshme me fanellën e St. Gallenit, përcjell albinfo.ch.
I dalë nga një prej akademive më prestigjioze në botë – ajo e Bayern Munichut – Neziri vendosi të bëjë disa hapa prapa për të bërë një hap të madh përpara. Kalimi në Zvicër rezultoi një zgjedhje e qëlluar, që sot po i jep frytet e saj.
Nga Gjilani në Bayern Munich
I lindur në Gjermani me origjinë nga Gjilani, futbolli për Beharin nisi që në fëmijëri. Ai e bëri hapin e parë në akademinë e Augsburgut, para se në vitin 2016 të transferohej te Bayern Munich, ku kaloi nëpër të gjitha grupmoshat — nga U15 deri te ekipi i dytë.
“Kam mësuar shumë nga trajnerë si Miroslav Klose dhe Martin Demichelis. Atje çdo detaj ishte perfekt dhe çdo ditë mësoje diçka të re,” rrëfen ai.
Në akademinë bavareze, Neziri ndau dhomën e zhveshjes me disa nga yjet e sotëm të futbollit evropian: Jamal Musiala, Aleksandar Pavlović, Kenan Yıldız dhe Arijon Ibrahimović.
Largimi nga Bayerni: kërkesa që nuk u plotësua
Pas shtatë vitesh në strukturat e klubit më të madh gjerman, në verën e vitit 2023 Neziri mori një vendim të guximshëm për t’u larguar.
“Bayerni donte të më rinovonte kontratën për tre vite, por kërkesa ime e vetme ishte të më jepnin mundësinë të stërvitesha disa javë me ekipin e parë që Thomas Tuchel të më shihte nga afër. Kur kjo nuk ndodhi, vendosa të largohem,” shpjegon ai.
Një fillim i ri në Zvicër
Pas Bayernit, destinacioni i radhës ishte St. Gallen, klub që i ofroi një projekt afatgjatë dhe mundësi zhvillimi. Megjithatë, fillimi nuk ishte i lehtë: një lëndim në ndeshjen e parë e detyroi të ndalej për disa muaj, ndërsa më pas u huazua te FC Wil, ku mori përvojën e parë në futbollin profesionist.
“Te Wil u pjek shumë si lojtar. Ishte vendi ku luajta çdo ndeshje dhe fitova besim në vetvete,” tregon ai.
Rikthimi si lider te St. Gallen
Në sezonin aktual, Neziri është rikthyer fuqishëm dhe është bërë pjesë e pandashme e formacionit bazë të St. Gallenit. Ai ka luajtur çdo minutë të çdo ndeshjeje, duke qenë ndër lojtarët me më shumë kilometra të përshkuara në fushë.
“E dija që do të luaja këtë sezon, por nuk e prisja që do të isha titullar në çdo ndeshje. Jam shumë i kënaqur me këtë rrugëtim,” thotë 22-vjeçari.
Skuadra e tij aktualisht është ndër pretendentët për titullin kampion, një trofe që St. Galleni nuk e ka fituar prej 26 vitesh.
Synimi: rikthimi në Bundesliga – dhe ëndrra për Kosovën
Edhe pse po shkëlqen në Zvicër, ambicia e Nezirit mbetet e madhe. Ai e sheh këtë periudhë si një trampolinë drejt Bundesligës, madje pse jo, një ditë edhe te Bayerni.
“Ky nuk është maksimumi im. Dua të rikthehem në Bundesliga, ndoshta edhe te Bayerni, por tani jam i përqendruar vetëm te St. Gallen,” thekson ai.
Në planin kombëtar, Neziri e ka bërë zgjedhjen e tij prej kohësh: Kosova. Ai ka veshur fanellën dardane që nga grupmosha U16 dhe nuk e ka konsideruar kurrë një opsion të luante për Gjermaninë.
“Asnjëherë nuk e kam mohuar prejardhjen. Për mua, Kosova ka qenë gjithmonë zgjedhja e zemrës,” thotë ai me bindje.
Përkrahja e familjes – forca e tij më e madhe
Suksesi i tij nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e familjes.
“Nëna më ka dërguar çdo ditë një orë rrugë deri në stërvitje te Augsburg. Prindërit më kanë përkrahur që nga fillimi dhe janë motivi im më i madh,” tregon Neziri.
Ai falënderon edhe agjentin e tij, Isi Jasharaj, që sipas tij ka luajtur një rol kyç në karrierë.
Në horizont: kombëtarja dhe të ardhmen
Së fundi, emri i Nezirit është përfshirë në listën e pritjes të përzgjedhësit Franco Foda, megjithëse ende nuk ka marrë një ftesë zyrtare.
“E kam parë emrin tim në listë dhe normalisht më ka bërë të ndihem mirë. Por për momentin jam i fokusuar vetëm te klubi. Kombëtarja është gjithmonë ëndrra ime,” përfundon Neziri me qetësinë dhe përulësinë që e karakterizon.
Në vetëm 22 vjet, Behar Neziri ka kaluar një rrugëtim që për shumë lojtarë do të dukej i pamundur — nga akademia e Bayernit deri te zemra e mesfushës së St. Gallenit. Një shembull frymëzues i përkushtimit, karakterit dhe besimit në vetvete. /telegraf
E-Diaspora
-
KQZ miraton listën e Qendrave të Votimit në përfaqësitë diplomatike Votimi fizik më 6 qershor do të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike me 70 vendvotime, ndërsa... -
“Ta thyejmë heshtjen” – në Gjenevë mbahet një mbrëmje diskutimi për dhunën në familje -
ADN-ja shqiptare në mërgatë: një festë identiteti, kujtese dhe përgjegjësie kombëtare -
Të rinjtë shqiptarë nga Gjeneva, Prizreni dhe Kruja sjellin traditën në një skenë të përbashkët -
Cyrih: Promovohet libri “Arti konceptual në Kosovë, 2000 – 2025”
Jeta në Zvicër
-
Novartis planifikon mbylljen e fabrikës në Wehr, preken 220 vende pune Kompania farmaceutike me seli në Bazel, Novartis, ka njoftuar se do të mbyllë deri në fund... -
Zvicra përballet me rritje të inflacionit në prill, të shtyra nga karburantet dhe qiratë -
Skandal në Klinikën e Zemrës në Cyrih: Ish shefi, shkaktar i vdekjes së mbi 70 pacientëve -
Graubünden shqyrton ndalimin e trafikut turistik në rrugët kantonale -
Vëllezërit shqiptarë Agron dhe Driton Knepper prezantojnë startup-in “Azygos” në Talent Pitch Switzerland në Cyrih













