Futboll
A është Xhaka, futbollisti më me ndikim në botë
Sot, Xhaka është shembull i rrallë i një futbollisti që vlen shumë më tepër se statistikat. Ai është standard, ritëm, strukturë
Gjatë tetë viteve të fundit ishte një supozim i heshtur në futbollin zviceran: Xherdan Shaqiri ishte ylli, por Granit Xhaka ishte ai që e mbante sistemin gjallë.
Sot, me paraqitjet e tij te Sunderland dhe te Zvicra, supozimi nuk është më pjesë e debatit – është fakt, shkruan gazeta zvicerane “Blick”. Prandaj duhet bërë pyetjen: A është Granit Xhaka futbollisti më me ndikim në botë? Jo domosdoshmërisht më i miri teknikisht, por ai që e ndryshon një ekip nga themeli, transmeton albinfo.ch.
Xhaka, bir i prindërve nga Kosova, ka qenë gjithmonë i pajisur me një sens të lindur përgjegjësie. Që në fëmijëri, ai ishte “udhëheqësi i natyrshëm” – një rol që më vonë u forcua përmes sfidave dhe goditjeve që e shoqëruan karrierën e tij. Nga talenti i hershëm që shfaqet në finalet e Danone Cup, te titulli botëror me U-17, e deri te debutimi te FC Basel – gjithçka tregonte se Graniti nuk ishte lojtar i zakonshëm.
Edhe pse shpeshherë është përballur me kritika, ndonjëherë të ashpra, ai ka reaguar me një forcë pothuajse kokëfortë. Në Borussia Mönchengladbach mësoi se fjalët vlejnë vetëm nëse i mbështet në fakte. Në Arsenal, pas periudhës së vështirë me kartonë, polemika dhe veçanërisht incidentit me tifozët në vitin 2019, një bisedë me Mikel Artetan i ringjalli karrierën.
Ai punoi për veten, ndryshoi, u rrit dhe u kthye në lider të padiskutueshëm.
Sot, Xhaka është shembull i rrallë i një futbollisti që vlen shumë më tepër se statistikat. Ai është standard, ritëm, strukturë.
Te Sunderland, një skuadër që sipas parashikimeve duhej të luftonte për mbijetesë, ai krijoi një transformim që mediat angleze e quajnë “fenomen”. Ai dirigjon tonin në stërvitje, mban ekipin të bashkuar dhe e shtyn drejt një niveli që askush nuk e priste. Te Zvicra, ndërkohë, është dirigjenti i një orkestre që funksionon sipas pulsit të tij. Kur Xhaka është mirë, Zvicra është mirë.
Madje edhe kur nuk merr skenën për vete, ai krijon hapësira që të tjerët të shkëlqejnë, siç ndodhi kundër Kosovës dhe Suedisë.
Për një kohë, pati dyshime për rolin e tij si “teamplayer”, veçanërisht pas disa polemikave në ndeshjet kundër Serbisë apo episodit të tattoove para Euro 2021. Por vitet e fundit ai është kthyer në një figurë më të matur, më strategjike – pa humbur agresivitetin e tij të domosdoshëm.
Marrëdhënia me trajnerin e Zvicrës, Murat Yakin, është stabilizuar; ndikimi i tij në grup është aq i madh sa fjalët që Xhaka thotë në stërvitje shndërrohen në moto për gjithë skuadrën.
Influenca e tij shkon përtej fushës.
Ai është sot më shumë se lider – është “arkitekt i mentalitetit”, njeriu që e ngre standardin dhe e detyron gjithë ekipin të ngrihet me të. Në një kohë kur shumë yje varen nga statistikat dhe rrjetet sociale, Xhaka është futbollisti i vjetër në shpirt, por modern në qasje: i përkushtuar, i disiplinuar, i pandalshëm.
Prandaj pyetja nuk është më provokuese, por e vlefshme: A ka sot një futbollist në botë që e ndryshon një ekip më shumë sesa Granit Xhaka? Teknika e tij nuk është më e mira absolute. Por ndikimi që ka – te klubet, te Zvicra, te lojtarët rreth tij – e bën unik.
Dhe fundi i kësaj historie ndoshta ende nuk është shkruar. Xhaka tashmë po punon për licencat e trajnerit. Në të ardhmen, ai mund të bëhet po aq i rëndësishëm nga bankina sa është sot në fushë. Ashtu siç thotë Yakin: “Ai mendon si trajner. Dhe kështu e udhëheq kombëtaren e Zvicrës”.
E përkohshme është forma, por ndikimi i Granit Xhakës duket se do të zgjasë shumë më gjatë, shkruan “Blick”.
E-Diaspora
-
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hap 23 kuti postare për votuesit e diasporës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka vënë në funksion 23 kuti postare në shtete të... -
Ministrja shqiptare paralajmëron iniciativa për të drejtat e diasporës në Greqi -
Udha e Lorik Canës: Sporti, Kultura dhe Kombi -
Program përkujtimor kushtuar Masakrës së Reçakut -
Abdixhiku: Diaspora nuk i prish balancat demokratike në Kosovë, ajo i pasqyron ato
Jeta në Zvicër
-
Pse Zvicra duhet të përqendrohet më shumë te kursimi i energjisë? Kushtetuta e Zvicrës parashikon që energjia të përdoret me kursim dhe në mënyrë të arsyeshme. Fondacioni... -
Temu, Shein, AliExpress: A duhet Zvicra të taksojë paketat kineze si BE-ja? -
Këshilli Kombëtar i Zvicrës miraton 1 milion franga për luftën kundër dhunës me bazë gjinore -
Asnjë kaos nga ndryshimi më i madh i orareve të transportit publik në Cyrih -
Studim alarmues: Deri në 90% e akullnajave mund të zhduken deri në vitin 2100










