Lajme
Një rrjet mashtruesish, të vetëshpallur shërues, u çmontua në kantonin e Fribourgut
Një rrjet personash që paraqiteshin si shërues të rremë është zbuluar në kantonin e Fribourgut. Skema e tyre, e ngjashme me atë të “marabuteve”, u ka mundësuar të mashtronin rreth 400 mijë franga zvicerane përmes premtimeve të rreme shpirtërore dhe ushtrimit të presionit emocional ndaj viktimave, transmeton albinfo.ch.
Sipas njoftimit të policisë kantonale të Fribourgut të enjten, arrestimi i një shtetasi nga Guinea në dhjetor të vitit të kaluar çoi në zbulimin e këtij rrjeti të organizuar mashtrimi. Burri mbetet aktualisht në paraburgim.
Hetimi zbuloi se 31-vjeçari nuk vepronte i vetëm. Dy të dyshuar të tjerë u identifikuan: një 35-vjeçar nga Guinea dhe një 31-vjeçar francez. Të tre dyshohen se kanë përfituar mbi 400 mijë franga zvicerane në 19 raste, kryesisht në kantonin e Fribourgut, por edhe në kantone të tjera frankofone.
Ata do të procedohen në Prokurorinë Publike për mashtrim profesional, shpërdorim besimi, vjedhje, pastrim parash dhe shkelje të ligjit për të huajt.
Si funksiononte skema
Sipas policisë, tre të dyshuarit menaxhonin disa faqe interneti ku ofronin shërbime si “mediumë”, “shërues” ose “marabute”. Ata premtonin zgjidhje për zhgënjime sentimentale, konflikte familjare apo rikthimin e partnerëve të mëparshëm.
Pasi merrnin kontakt me viktimat — shumica prej tyre tashmë në situata të brishta — autorët ushtronin presion përmes frikësimit, kërcënimeve dhe premtimeve të rreme. Ata garantonin gjithashtu se paratë do të ktheheshin pas kryerjes së “ritualit”, gjë që nuk ndodhte kurrë.
Për të fshehur qarkullimin e parave, ata kishin përdorur edhe një grua zvicerane 40-vjeçare. Ajo vetë kishte qenë fillimisht viktimë e grupit, para se — me gjasë nën udhëzimet e tyre — të hapte një llogari bankare zvicerane që më pas u përdor për transaksione. Përveç kësaj, ajo mblidhte para cash nga viktimat dhe ua dorëzonte autorëve të dyshuar. Policia thekson se aktivitete të tilla janë të paligjshme dhe se aktualisht për të gjithë të dyshuarit vlen prezumimi i pafajësisë.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
“Të gjithë e thërrasin Rexhon” vjen në Cyrih pas një rrugëtimi të suksesshëm nëpër Evropë Pas paraqitjeve në disa shtete evropiane, platforma mediale albinfo.ch sjell filmin për publikun e Zvicrës edhe... -
Londër
Shqiptari shmang dëbimin nga Britania pas një vendimi gjyqësor për një arsye të pazakontë -
Nga një fëmijëri e integruar në Cyrih drejt një zëri me peshë në shoqërinë zvicerane -
Thonex: Punonjësi me origjinë shqiptare denoncon racizëm në polici -
Kantoni i Cyrihut i dhuron një automjet zjarrfikës qytetit të Gjilanit
Jeta në Zvicër
-
“Të gjithë e thërrasin Rexhon” vjen në Cyrih pas një rrugëtimi të suksesshëm nëpër Evropë Pas paraqitjeve në disa shtete evropiane, platforma mediale albinfo.ch sjell filmin për publikun e Zvicrës edhe... -
Qeveria Federale planifikon mbrojtjen e të moshuarve nga dhuna -
Këshilli Federal kërkon katër miliardë franga për forcimin e ushtrisë -
Makina godet një grup nxënësish – Mendohet se ka humbur jetën një person -
Çmimet vazhdojnë të rriten: Nafta tani kushton 2.10 franga për litër













