Lajme
Kur dhe pse shpallen ditë zie kombëtare në Zvicër? Një praktikë e rrallë në një shtet federal
Dita e zisë kombëtare e 9 janarit 2026, e shpallur pas tragjedisë së rëndë në Crans-Montana, ka rikthyer në vëmendje mënyrën se si Konfederata Zvicerane e koncepton dhe e ushtron zyrtarisht aktin e zisë shtetërore
Shpallja e një dite zie kombëtare në Zvicër mbetet një praktikë e rrallë dhe jo e institucionalizuar juridikisht, ndryshe nga ajo që njihet në shumë shtete të tjera evropiane. Dita e zisë kombëtare e 9 janarit 2026, e shpallur pas tragjedisë së rëndë në Crans-Montana, ka rikthyer në vëmendje mënyrën se si Konfederata Zvicerane e koncepton dhe e ushtron zyrtarisht aktin e zisë shtetërore, si një gjest etik e shoqëror më shumë sesa një mekanizëm normativ.
Sipas historianit Sacha Zala, të cituar nga e përditshmja zvicerane Tages-Anzeiger, mungesa e një tradite të fortë të zisë kombëtare në Zvicër lidhet drejtpërdrejt me strukturën federale të vendit. Kompetencat e shpërndara mes Konfederatës, kantoneve dhe komunave kanë bërë që aktet simbolike shtetërore të jenë historikisht të kufizuara. Megjithatë, siç thekson Zala, zhvillimet dhe praktikat në vende të tjera nuk kanë kaluar pa lënë gjurmë edhe në realitetin zviceran, duke ndikuar gradualisht në mënyrën se si shoqëria reagon ndaj tragjedive të mëdha.
Në kontrast, shtete si Britania e Madhe kanë një traditë të konsoliduar të zisë shtetërore, me protokolle të qarta dhe masa të mirëpërcaktuara. Rasti më i fundit ishte vdekja e Mbretëreshës Elizabeth II, pas së cilës u shpallën disa ditë zie zyrtare në nivel kombëtar. Në Zvicër, një qasje e tillë e centralizuar nuk ekziston; përkundrazi, pesha e aktit qëndron te vullneti shoqëror dhe te kultura e konsensusit.
Edhe Kancelaria Federale ka sqaruar se dita e zisë kombëtare nuk përbën një institucion juridik. Këshilli Federal mund të ftojë popullsinë në një akt zie ose përkujtimi, por nuk ka kompetencë ligjore për të detyruar kantonet, institucionet apo subjektet private që ta zbatojnë atë në mënyrë formale. Si rrjedhojë, masa të tilla si pushimi i detyrueshëm nga puna apo detyrime financiare nuk mund të imponohen pa një bazë ligjore federale. Ky realitet e vendos theksin te përgjegjësia qytetare dhe te pjesëmarrja vullnetare.
Megjithatë, edhe pse rrallë, Zvicra ka njohur më herët momente zie dhe përkujtimi kombëtar, zakonisht të lidhura me ngjarje me ndikim të jashtëzakonshëm shoqëror. Gjatë pandemisë Covid-19 në vitin 2021, më 5 mars, kambanat e kishave ranë në mbarë vendin për të përkujtuar viktimat. Po ashtu, pas atentatit në Zug më 27 shtator 2001, u organizuan ceremoni zie dhe një minutë heshtjeje më 1 tetor. Pas cunamit shkatërrues në Azinë Juglindore në fund të vitit 2004, 5 janari 2005 u shënua si ditë zie kombëtare në Zvicër, në shenjë solidariteti ndërkombëtar.
Në këtë kontekst, dita e zisë kombëtare e 9 janarit 2026renditet mes atyre momenteve të rralla kur Zvicra, përtej ndarjeve federale dhe kompetencave të decentralizuara, zgjedh të flasë me një zë të vetëm. Ajo nuk përbën një detyrim ligjor, por një akt të qartë institucional dhe shoqëror, përmes të cilit e gjithë shoqëria zgjedh të bashkohet në reflektim të përbashkët dhe përgjegjësi kolektive, duke e shndërruar dhimbjen në kujtesë publike dhe heshtjen në një shprehje dinjitoze të ndërgjegjes qytetare.
Për albinfo.ch Luljeta Ademi
E-Diaspora
-
Përparim Avdili, djathtisti jokonvencional që po sfidon të majtën në Cyrih Fushata e tij e mprehtë, pa kompromis dhe inteligjente ka bërë që Përparimi jo vetëm të... -
44 grabitje dhe mbi 1 milion paund dëme, goditet banda shqiptare në Britani -
Gjermani
Lexim letrar në Köln, Jehona Kicaj prezanton romanin “ë” -
Në Merdarë, 40 minuta pritje për të dal nga Kosova -
Punëtori shqiptar nga ky shtet humb jetën në një aksident pune
Jeta në Zvicër
-
Zvicra varet nga ndihma e huaj për trajtimin e të plagosurve në Crans Montana Kështu ka deklaruar Lukas Engelberger, President i Konferencës së Drejtorëve Kantonalë të Shëndetit, në "Samstagsrundschau" të... -
Bora paralizoi shërbimin e autobusëve në qytetin e Cyrihut -
Përparim Avdili, djathtisti jokonvencional që po sfidon të majtën në Cyrih -
Shumica e bankave zvicerane presin rënie të produkteve të qëndrueshme -
Shtatë fakte dhe histori rreth Stacionit Qendror të Cyrihut












