Lajme

Gratë nën shtypje në Afganistan: Së shpejti nuk do të ketë më mjeke femra

Që nga marrja e pushtetit nga talibanët në verën e vitit 2021, është bërë gjithnjë e më e qartë se regjimi po zbaton në mënyrë të rreptë politika autoritare. Gratë janë veçanërisht të goditura – të drejtat e tyre po kufizohen sistematikisht dhe jeta e përditshme është nën kontroll të fortë.

Këtë e thekson ish-ministrja afgane për Çështjet e Grave dhe aktivistja në mërgim, Sima Samar, e cila paralajmëron për një përkeqësim të shpejtë të situatës. Sipas saj, në ligjet e reja, edhe kafshët si qentë, devetë dhe pulat janë më të mbrojtura sesa gratë afgane, transmeton albinfo.ch.

Edhe Michael Kunz, president i organizatës “Afghanistanhilfe Schaffhausen”, e konfirmon këtë trend negativ. Organizata, prej gati 40 vitesh, është ndër më të mëdhatë private që veprojnë në Afganistan, duke mbështetur shkolla, duke menaxhuar spitale dhe jetimore, si dhe duke ofruar ndihma ushqimore.

Ndihma ende funksionon, por me kufizime

Sipas Kunz, pavarësisht vështirësive, ndihma humanitare vazhdon të ketë ndikim:

“Duke marrë parasysh të gjitha pengesat, ndihma është ende relativisht efektive. Megjithatë, ka faktorë që ndikojnë negativisht, sidomos në arsim.”

Aktualisht, vajzave u lejohet të ndjekin shkollën vetëm deri në klasën e gjashtë. Pasojat e këtij ndalimi pritet të ndihen më vonë.

“Në një moment, nuk do të ketë më mjeke apo mami të trajnuara. Sistemi shëndetësor do të mbetet vetëm për burra – dhe kjo është diçka që nuk e duam,” thekson ai.

Gratë në shëndetësi – ndër të vetmet që ende punojnë

Sektori i shëndetësisë është një nga të paktët ku gratë ende lejohen të punojnë, por me kufizime të forta. Për shembull, pacientet femra duhet të trajtohen vetëm nga staf femëror.

Edhe në arsim ka ende mësuese gra, por sipas Kunz, kjo situatë nuk do të zgjasë gjatë:

“Me kalimin e kohës, ato do të zhduken dhe shkollat nuk do të mund të funksionojnë më.”

Ndalohen aktivitetet kulturore

Organizata menaxhon edhe tre jetimore, ku situata është përkeqësuar ndjeshëm. Aktivitetet kulturore janë ndaluar plotësisht – nuk lejohen teatër, sport për vajzat apo evente kulturore.

“Instrumentet muzikore u shkatërruan që ditën e parë,” tregon Kunz.

Së fundmi, vendimi i talibanëve për t’i vendosur jetimoret nën kontroll shtetëror po krijon sfida të mëdha për vazhdimin e punës humanitare.

A po arrin ndihma te njerëzit?

Megjithë vështirësitë, Kunz thotë se ndihma po arrin te popullsia dhe po bën dallim të madh:

“Në një vend ku më shumë se gjysma e popullsisë varet nga ndihma ushqimore, çdo ndihmë ka rëndësi. Edhe në arsim, është më mirë që një vajzë të ndjekë shkollën për gjashtë vite dhe të mësojë të lexojë e të shkruajë, sesa të mos shkojë fare në shkollë.”