Kosova

LVV siguron 49 ulëse në Kuvend, PDK e dyta me 24 – si pritet të jetë ndarja e mandateve?

Sipas rezultateve aktuale, VV-ja me 49 deputetë, PDK-ja e dyta me 24, LDK-ja siguron 19 ulëse, AAK-ja 8, ndërsa Lista Serbe 9 mandate në Kuvendin e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar ndarjen aktuale të mandateve në Kuvendin e Kosovës, bazuar në rezultatet e deritanishme të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, përcjell albinfo.ch.

Sipas të dhënave të publikuara, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë forca më e madhe politike në vend, duke siguruar 49 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me 24 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka fituar 19 ulëse.

Në anën tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të përfaqësohet me 8 deputetë, ndërsa Lista Serbe ka siguruar 9 mandate në legjislaturën e re.

Sa i përket partive të komuniteteve joshumicë, Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) ka fituar 2 mandate. Ndërkaq, nga një ulëse kanë siguruar Za Slobodu Pravdu i Opstanak, Koalicija Vakat, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Socialdemokratska Unija (SDU), Nova Demokratska Stranka, Partia Liberale Egjiptiane, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PREBK), Jedinstvena Goranska Partija dhe PSA.

Publikimi i këtyre shifrave vjen në një kohë kur procesi i numërimit të votave nga diaspora dhe votave me postë ende nuk ka përfunduar, çka nënkupton se mund të ketë lëvizje të vogla në përbërjen përfundimtare të mandateve.

Ndërkohë, KQZ-ja ka njoftuar se synon t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve deri më 26 qershor, ndërsa certifikimi i tyre pritet të bëhet jo më vonë se 6 korriku.

Me këto rezultate, vendi hyn në fazën e konsultimeve politike dhe negociatave për formimin e institucioneve të reja, ndërsa vëmendja mbetet te votat e mbetura për t’u numëruar dhe te skenarët e mundshëm për krijimin e shumicës parlamentare./Albinfo.ch