Lajme

Shefi i WEF jep dorëheqjen për shkak të lidhjeve me Epstein

Presidenti dhe drejtori ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror (WEF), Børge Brende, ka dhënë dorëheqjen mes një hetimi për lidhjet e tij me autorin e krimit seksual, Jeffrey Epstein.

Brende deklaroi të enjten se pas “shqyrtimit të kujdesshëm” po jep dorëheqjen.

“Jam i bindur se Forumi tani mund të vazhdojë punën e tij të rëndësishme pa shpërqendrime”, shkroi ish-diplomati norvegjez, i cili shkëmbeu më shumë se 100 mesazhe dhe email-e dhe u takua me Epstein në tre raste, shkruan swissinfo, transmeton albinfo.ch.

WEF nisi një hetim të pavarur në fillim të shkurtit për të sqaruar marrëdhënien e Brendes me Epstein.

Në një deklaratë të veçantë, menaxhmenti i WEF ka treguar se Alois Zwinggi do të marrë përsipër detyrën e presidentit dhe drejtorit ekzekutiv të përkohshëm.

Vlerësimi i pavarur i kryer nga një këshilltar i jashtëm tani është përfunduar, deklarojnë ata. Përfundimet e tij tregojnë se nuk ka shqetësime të tjera përveç atyre të zbuluara tashmë nga vetë Brende.