Lajme
Astronautët e Artemis II rikthehen me sukses në Tokë pas misionit historik 10-ditor
Kapsula “Orion” u ul me saktësi në Oqeanin Paqësor, ndërsa NASA e cilësoi rikthimin si “shembullor”. Misioni shënon hapin më të rëndësishëm drejt rikthimit të njerëzve në Hënë pas 53 vjetësh.
Astronautët e misionit Artemis II janë rikthyer me sukses në Tokë pas një misioni 10-ditor në hapësirë, i cili u transmetua drejtpërdrejt nga NASA dhe u cilësua si një nga ngjarjet më të rëndësishme të eksplorimit hapësinor në dekadat e fundit, përcjell albinfo.ch.
Rikthimi i kapsulës hapësinore “Orion” nisi me hyrjen e saj në atmosferën e Tokës me një shpejtësi rreth 39 mijë kilometra në orë. Siç ndodh zakonisht në këto raste, komunikimi me Tokën u ndërpre për disa minuta për shkak të plazmës që krijohet gjatë rikthimit, por pas rivendosjes së sinjalit, procesi vijoi sipas planit.
Parashutat u hapën në kohën e duhur dhe kapsula realizoi një ulje të kontrolluar në Oqeanin Paqësor, pranë San Diegos. NASA e përshkroi uljen në ujë, të njohur si “splashdown”, si të përkryer dhe jashtëzakonisht të saktë.
Menjëherë pas uljes, ekipet e shpëtimit iu afruan kapsulës për të siguruar stabilitetin dhe për të verifikuar gjendjen e astronautëve. Operacioni i rikuperimit u zhvillua normalisht, ndërsa astronautët dolën nga kapsula një nga një, me komandantin Reid Wiseman të fundit.
Ata u transportuan me helikopter drejt anijes ushtarake USS John P. Murtha, ku iu nënshtruan kontrolleve të para mjekësore. Sipas NASA-s, të katërt astronautët ishin në gjendje të mirë, të buzëqeshur dhe pa nevojë për ndihmë gjatë ecjes drejt qendrës mjekësore.
Ky mision shënon fluturimin e parë testues me ekuipazh në kuadër të programit Artemis, i cili konsiderohet pasardhësi modern i projektit historik Apollo. Artemis II është gjithashtu misioni i parë pas 53 vjetësh që dërgon astronautë në afërsi të Hënës, jashtë orbitës së Tokës.
Në bordin e kapsulës “Orion” ndodheshin astronautët amerikanë Christina Koch, Victor Glover, Reid Wiseman dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen. Për Hansen ky ishte fluturimi i parë në hapësirë, ndërsa për pjesën tjetër fluturimi i dytë.
Misioni shënoi edhe disa rekorde historike: Christina Koch u bë gruaja e parë në një mision hënor të NASA-s, Victor Glover personi i parë jo i bardhë në një fluturim të tillë, ndërsa Jeremy Hansen u bë kanadezi i parë në një mision drejt Hënës.
Ulja në Tokë u cilësua si një manovër tepër e ndërlikuar, pasi gjatë rikthimit kapsula arriti shpejtësi mbi 38 mijë kilometra në orë, ndërsa u përball me temperatura mbi 2.700 gradë Celsius. Falë mburojës termike, “Orion” arriti të përballojë ngarkesën ekstreme të nxehtësisë dhe të rikthehet i paprekur.
Gjatë misionit, ekuipazhi përshkoi mbi 2.3 milionë kilometra, duke u larguar deri në 406.771 kilometra nga Toka, çka theu rekordin e misionit “Apollo 13” të vitit 1970. Astronautët iu afruan Hënës deri në rreth 6.545 kilometra, pa realizuar ulje në sipërfaqe, pasi kjo nuk ishte pjesë e planit.
Kreu i NASA-s, Jared Isaacman, i priti personalisht astronautët dhe e cilësoi misionin si një “arritje historike”, duke theksuar se ekuipazhi është “shëndosh e mirë dhe i lumtur”. Edhe presidenti amerikan Donald Trump e përshkroi misionin si “spektakolar” dhe uljen si “perfekte”, ndërsa kryeministri kanadez Mark Carney e vlerësoi rikthimin si një moment historik për Kanadanë.
NASA e konsideron Artemis II si një hap kyç drejt misioneve të ardhshme, përfshirë Artemis III, i cili pritet të realizojë uljen e radhës së njerëzve në Hënë dhe të hapë rrugën drejt një pranie të përhershme njerëzore atje, si dhe misioneve të ardhshme drejt Marsit.
Menaxheri i NASA-s, Amit Kshatriya, deklaroi se “rruga drejt Hënës është e hapur”, por shtoi se puna më e madhe ende mbetet përpara./DW/Albinfo.ch

E-Diaspora
-
Konsullata e Kosovës në Düsseldorf organizon mbrëmje letrare me autoren Jehona Kicaj U prezantua romani debutues “ë”, i cili është përfshirë në listën e ngushtë të “Deutscher Buchpreis... -
Austri
Aksident tragjik në Austri, humb jetën një 19-vjeçar nga Kosova -
Mehas Alija: “I marrim seriozisht këto shqetësime, janë pjesë e debatit demokratik” -
Francë
Në Francë mbahet edicioni i tretë i Ekselencës Sipërmarrëse të Diasporës Frankofone -
Teatri “Mërgimtari” nga Kroacia sjell në Shqipëri shfaqjen “Kukulla”
Jeta në Zvicër
-
Kuvendi Shqiptar në Zvicër reagon për kërkesat e studentëve shqiptarë në Shkup Kuvendi Shqiptar në Zvicër ka dalë me reagim për kërkesat e studentëve shqiptarë në Shkup, për... -
Zjarri përfshin zhveshtoren e FC Basel, shtyhet ndeshja me Thun -
Mehas Alija: “I marrim seriozisht këto shqetësime, janë pjesë e debatit demokratik” -
Në Zvicër mbi 300 mijë të moshuar përballen me dhunë -
Gjeneva, një nga qendrat botërore të industrisë së aromave dhe shijeve












