Lajme

Shoqata Kulturore “Sharri” nderon figurën e Rexhep Rifatit, një jetë në shërbim të gazetarisë dhe identitetit shqiptar në diasporë

Veprimtaria shumëvjeçare e gazetarit të njohur shqiptar Rexhep Rifati u vendos në qendër të një aktiviteti me peshë të veçantë kulturore dhe simbolike, të organizuar nga Shoqata Kulturore “Sharri” në Waldkirch. albinfo.ch përcolli nga afër këtë ngjarje, e cila u shndërrua në një reflektim mbi rolin e gazetarisë në ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë.

Aktiviteti “Një pasdite me Bacën Rexhep Rifati” mblodhi përfaqësues institucionalë, artistë dhe bashkatdhetarë të shumtë, duke dëshmuar për ndikimin e gjerë që ka pasur puna e tij ndër vite në jetën kulturore dhe shoqërore të komunitetit shqiptar jashtë atdheut.

 

Foto: Afrim Nevzati

Gazetari veteran, shumë aktiv edhe në moshë të shtyrë në diasporë, Rexhep Rifati, ka marrë së fundi një mirënjohje të rëndësishme për punën e tij shumëvjeçare në gazetari. Ai është dekoruar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të gjatë dhe të qëndrueshëm në gazetarinë e diasporës.

Foto: Afrim Nevzati

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë, Rexhep Demiri, i cili theksoi: “Rexhep Rifati ka mbajtur gjallë fjalën dhe kulturën shqiptare në mërgatë, duke lidhur brezat dhe duke ruajtur identitetin tonë. Vlerësimet e larta që ai ka marrë, përfshirë dekorimin nga Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, janë dëshmi jo vetëm e kontributit të tij profesional, por edhe e integritetit të tij njerëzor.”

Foto: Afrim Nevzati

Programi artistik i aktivitetit solli një ndërthurje të elementeve tradicionale dhe bashkëkohore, me performanca nga grupe dhe ansamble që pasqyruan gjallërinë e trashëgimisë kulturore shqiptare, përfshirë edhe dimensionin arbëresh.

Foto: Afrim Nevzati

Në fjalën e tij, Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, e cilësoi Rifatin si një figurë që mishëron gazetarinë me mision dhe përgjegjësi njerëzore: “Figura e tij përfaqëson përkushtim të palëkundur ndaj fjalës së lirë dhe informimit të drejtë. Por mbi të gjitha, z. Rifati është një njeri i dimensionit të lartë njerëzor – një zë që gjithmonë ka ditur të jetë pranë njerëzve, të dëgjojë hallet e tyre dhe t’i pasqyrojë me ndjeshmëri e dinjitet.”

Foto: Afrim Nevzati

“Ky vlerësim nuk më takon vetëm mua. Ai u përket të gjitha shoqatave kulturore dhe grupeve artistike që kanë mbajtur gjallë identitetin tonë. Unë vetëm kam pasqyruar punën dhe përkushtimin tuaj.”

Ai theksoi se rrugëtimi i tij është ushqyer nga komunitetet shqiptare në diasporë, përfshirë edhe botën arbëreshe, si pjesë e pandashme e kujtesës dhe identitetit shqiptar.

Veprimtaria e tij është vlerësuar edhe ndërkombëtarisht. Ai është shpallur “Qytetar Nderi” i Horës së Arbëreshëve në Itali, një titull që njeh kontributin e tij në dokumentimin dhe promovimin e historisë dhe identitetit të shqiptarëve jashtë atdheut.

Foto: Afrim Nevzati

Rexhep Rifati i përket një brezi gazetarësh që profesionin e kanë ushtruar si mision në shërbim të komunitetit dhe vlerave shoqërore, me një përkushtim të veçantë ndaj trashëgimisë së arbëreshëve. Përmes veprave të tij “Arbëreshët – fotosintezë e shpirtit tim” dhe “Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje”, ai ka dokumentuar me përkushtim historinë, identitetin dhe jetën e shqiptarëve në diasporë, duke ndërtuar një arkiv të vyer kulturor e shoqëror. Krahas kësaj veprimtarie, ai është angazhuar edhe në mbështetjen e të rinjve përmes bursave për shkollimin e studentëve, duke e shtrirë kontributin e tij përtej gazetarisë, në formimin dhe fuqizimin e brezave të rinj.

Në përmbyllje të aktivitetit, për të pranishmit u shtrua një darkë ku u shërbyen gatime tradicionale shqiptare.

Foto: Afrim Nevzati

Kush është Rexhp Rifat

Rexhep Rifati u lind më 28 maj 1942 në fshatin Komogllavë, Ferizaj, Kosovë. Aktualisht jeton në Cyrih, Zvicër. Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes. Në vitin 1966 përfundoi Shkollën Normale në Ferizaj. Diplomoi në Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Fakulteti Filozofik, Universiteti i Prishtinës, viti1973. Karriera Profesionale gjatë viteve 1965–1995, puno gazetar në të përditshmen Rilindja. Migroi në Zvicër ku i njihet statusi i të strehuarit politik.

Në Zvicër ushtroi gazetarinë, ishte redaktor në gazeta periodike dhe portale elektronike; aktualisht në prointegra.ch.

Aktiviteti Kulturor dhe Humanitar; Themelues dhe kryetar i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Kastriotit. Themelues dhe donator i përhershëm i Fondit të Bursave të Solidaritetit.

Për më shumë se 10 vjet, bashkë me familjen ka ndarë 6 bursa studentore çdo muaj. Të ardhurat nga shitja e librave i dedikohen fondit studentor.

Aktiviteti Shkencor: Gazetari udhëpërshkruese; ka vizituar të gjitha trojet shqiptare dhe 52 ngulimet arbëreshe.

Nderuar me titullin ‚Apostull i kohëve moderne‘ nga At Antonio Bellusci.

Anëtar nderi i Qendrës Albanologjike për Studime mbi Gjuhën dhe Kulturën Arbëreshe.

Mirënjohje „Për kontributin e dhënë në Mërgatë përmes shkrimeve” nga tri Ambasada në

Zvicër: Ambasada e Shqipërisë, Ambasada e Kosovës, Ambasada e Maqedonisë Veriore

– Medaljonin “Dielli Dardan” nga LKSHM- Lidhja e Krijuesve Shqiptar të Mërgatës. Dekoruar nga Presidentja e Kosovës. Qytetar Nderi i Horës Arbëreshe Piano Degli

Botime:

– 2013: Shqiptarët në Zvicër – 1001 pamje

– 2018: Shtegtimet e një gazetari (shqip, anglisht, gjermanisht)

– 2019: Një jetë në shërbim të lirisë dhe të zhvillimit

– 2022: Arbëreshët: fotosintezë e shpirtit tim (shqip dhe italisht.

Jeton në Cyrih, Zvicër. Ka 6 fëmijë dhe 12 nipa e mbesa.