Lajme

Gazetari Rexhep Rifati nderohet me “Diellin Dardan” për Vepër Jetësore

Tetë krijues marrin çmime dhe mirënjohje të ndryshme, ndër ta për veprimtari jetësore, gazetari Rexhep Rifati merr çmimin „Dielli Dardan“

Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, për nder të festës së 28 NËNTORIT ka ndarë mirënjohje për zhanre të ndryshme arti në mërgatë. Tetë krijues marrin çmime dhe mirënjohje të ndryshme, ndër ta për veprimtari jetësore, gazetari Rexhep Rifati merr çmimin „Dielli Dardan“.

Musa Jupolli, kryetar i LKSHM me këtë rast shkruan: „Për Vepër Jetësore „Dielli Dardan“ çmohet kontributi i Rexhep Rifatit n’udhëtimet e tij të palodhshme, ku gjejmë shpirtin e krijuesit, gazetarit e fotografit me përshkrime dhe filozofi të pasur, me fotografi kujtimi që do të ruhen brez pas brezi, me theks, udhëtimet e Z. Rifatit në venbanimet e arbëreshëve janë pasuri që i kalojnë të gjitha çmimet!“

Të paktë janë ata që nuk e njohin gazetarin e palodhur Rexhep Rifati. Librat e botuar janë vlera që i përcillen dhe i lihen historisë. Ato lindin si kërkesa shpirtërore nga krijues, poetë e shkrimtarë, lindin në kohëra të ndryshme, në kushte të ndryshme dhe mbajnë në vete porosinë që u përcillet dhe u dhurohet gjeneratave të ardhshme. Rexhep Rifati i dhuroi dhe vazhdon t`i dhurojë shumë kulturës shqiptare, ai vazhdon të japë pa kërkuar asgjë në kthim dhe pikërisht këtu qëndron vlera e shtuar e të urtit Rexhep Rifati.

Rexhep Rifati, një figurë e dashur dhe e respektuar jo vetëm në diasporë por gjithandej trojeve shqiptare u lind në vitin 1942 në Komogllavë të Ferizajt, ku edhe kreu shkollimin e ulët dhe ate të mesëm, ndërsa në vitin 1973 diplomoi në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Ai punoj afro tri dekada si gazetar i të përditshmes Rilindja, njëkohësisht ofroi kontributin e tij të vlefshëm në organizimin e jetës kulturore në Ferizaj.

Në vitin 1995 për shkak të presionit dhe dhunes serbe, ai migroi në Zvicër ku vazhdoi të merret me shkrime si gazetar dhe redaktor në gazeta dhe portale të ndryshme, për tu kthyer në një fytyrë emblatike të diasporës. Baci Rexhë, ashtu siç me shumë respekt dhe dashuri e thërrasin të rinj dhe të moshuar, ishte me kamerën dhe penën e tij kudo dhe kurdo, çdoherë në përcjelljen dhe promovimin e vlerave shqiptare në secilin cep të Zvicrës, në Itali te arbëreshët, në Europë dhe në të gjitha trojet shqiptare. Ai ishte aty ku diplomohej studenti shqiptar, ku promovohej arti, ku mësohej gjuha shqipe, ku bizneset frymonin shqip, ku prekeshin arritjet kolektive ose personale të bashkëkombëseve të tij dhe Baci Rexhë ju gëzohej sukseseve të tyre, shkruante për ta, motivonte gjenerata të tëra për suksese të reja. Nga këto rrugëtime të gjata dhe të pandalura ai në vitin 2013 nxori edhe librin e tij të parë “Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje“ ku shpalosi një tablo të bukur të shqiptarëve të Zvicrës dhe sukseseve të tyre. Në vitin 2018 botoi librin „Shtegtimet e një gazetari“ ku me fotografi që flasin sa njëmijë fjalë por edhe me shkrime, dëfton rrugëtimin e tij nëpër vise shqiptare, dëfton për monumente kulture, rite dhe artefakte, shoqata shqiptare, personalitete të njohura të diasporës.

Çmimi „Dielli Dardan“, nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, këtë vit ndahet për herë të parë dhe i jepet pikërisht gazetarit të palodhur Rexhep Rifati, të cilit poeti Mentor Thaqi në një poezi i drejtohet me vargjet: “Ec djalosh, ec/shkrepe e ndrite me penë/Rininë mbaje, se të mbanë/ Shtatëdhjetë vjet në vrapim/ Pesëdhjetë vjet në veprim…