Kosova

Bashkëpunimi nga diaspora shqiptare në Zvicër forcon kujdesin mjekësor në Viti dhe Gjilan

Bashkëpunim nga diaspora shqiptare në Zvicër forcon kujdesin mjekësor në Kosovë

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Viti dhe Spitali i Përgjithshëm në Gjilan kanë pranuar një donacion të rëndësishëm që synon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e cilësisë së trajtimit të pacientëve. Ky donacion është realizuar falë bashkëpunimit me Shoqatën “Zentrum Parandalo” dhe Xhaminë “Shtëpia e Paqes” në Cyrih të Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Në QKMF në Viti, donacioni do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shërbimet e urgjencës primare. Ai përfshin 20 bartëse për pacientë të lënduar, të cilat do të përdoren në QMF-në e Pozheranit dhe në autoambulanca. Këto pajisje pritet të lehtësojnë punën e stafit shëndetësor dhe të rrisin sigurinë dhe efikasitetin gjatë trajtimit të rasteve emergjente, veçanërisht në situata traume dhe aksidentesh.

Mund të jetë një imazh i spital

Drejtoresha e QKMF-së në Viti, dr. Vjollca Kadolli Halili, shprehu mirënjohje të thellë për donatorët, duke vlerësuar kontributin e tyre në avancimin e shërbimeve shëndetësore në komunë. Në shenjë falënderimi, ajo ndau mirënjohje institucionale për Shoqatën “Parandalo” dhe Xhaminë “Shtëpia e Paqes”. Ajo gjithashtu theksoi se bashkëpunimi me këto organizata ka vazhduar edhe në të kaluarën përmes aktiviteteve vetëdijesuese në komunitet.

Ndërkohë, edhe Spitali i Përgjithshëm në Gjilan ka përfituar nga ky donacion. Drejtori i spitalit, dr. Afrim Cana, falënderoi donatorët nga Zyrihu, duke theksuar se mbështetja e tyre do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve dhe kujdesit ndaj pacientëve.

Ky kontribut nga diaspora shqiptare në Zvicër vlerësohet si një ndihmë e rëndësishme për sistemin shëndetësor në Kosovë, duke synuar kujdes më efikas, më të sigurt dhe më cilësor për qytetarët./Albinfo.ch

Mund të jetë një imazh i teksti