Muzikë
SH.K.A “Dardania” shpalos vlerat e valles shqiptare në “Tanzfest”, në Winterthur
Prezantimi kishte edhe një mesazh të fuqishëm: ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin e vlerave shqiptare në diasporë
Një atmosferë e jashtëzakonshme festive dhe artistike mbretëroi këtë fundjavë në Winterthur, ku në mesin e shumë shoqatave të kombeve dhe kulturave të ndryshme ishte edhe Shoqëria Kulturore-Artistike “Dardania”, e cila tash e sa vite merr pjesë në këto manifestime të njohura kulturore, duke prezantuar me krenari kulturën, traditën dhe folklorin shqiptar para publikut zviceran dhe ndërkombëtar.
Paraqitja e parë, nga Shoqëria Kulturore-Artistike “Dardania” u mbajt në ambientin e hapur të Archhöfeplatz, në zemër të qytetit të Winterthurit, ku atmosfera mori përmasa edhe më madhështore para një publiku të madh. Në mesin e shumë kulturave dhe artistëve nga vende të ndryshme të botës, valltarët e “Dardanisë” sollën motive dhe valle shqiptare që tërhoqën vëmendjen e kalimtarëve dhe pjesëmarrësve të shumtë.
Rrethi i valltarëve shqiptarë, tingujt folklorikë dhe kostumet autentike krijuan një pamje mbresëlënëse në qendër të qytetit, ndërsa shumë qytetarë u afruan për të ndjekur nga afër performancën dhe për të fotografuar këtë moment të veçantë kulturor. Reagimi i publikut ishte jashtëzakonisht pozitiv, duke dëshmuar edhe një herë se kultura shqiptare vazhdon të zgjojë interesim dhe respekt në skenat ndërkombëtare.

Ndërkohë, paraqitja e dytë u zhvillua në skenën e Theater am Gleis, sallë kjo e stërmbushur dhe me hyrje të organizuar nga organizatorët e festivalit. Këtu, grupi i fëmijëve të SH.K.A “Dardania” solli emocione të veçanta përmes valleve me lojëra popullore dhe interpretimit skenik plot gjallëri e pastërti artistike.
Të veshur me kostume tradicionale shqiptare, në një ambient skenik të përshtatur edhe me piktura tematike të lojërave popullore, fëmijët përcollën para publikut bukurinë e trashëgimisë sonë kulturore, duke dëshmuar se brezi i ri në diasporë po rritet me dashuri për identitetin dhe rrënjët kombëtare.
Në skenë nuk munguan emocionet, buzëqeshjet dhe energjia pozitive që fëmijët transmetuan gjatë paraqitjes së tyre, ndërsa publiku i priti me duartrokitje të vazhdueshme dhe simpati të madhe. Ishte një moment i veçantë jo vetëm për artistët e vegjël, por edhe për prindërit dhe gjithë komunitetin shqiptar e ndërkombëtar të pranishëm në sallë.
Përveç anës artistike, këto dy paraqitje kishin edhe një mesazh të fuqishëm kulturor dhe shoqëror: ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin e vlerave shqiptare në diasporë. Prania e fëmijëve dhe të rinjve në këto aktivitete ishte dëshmi e gjallë se puna shumëvjeçare e “Dardanisë” po vazhdon me sukses dhe po bartet me krenari tek brezat e rinj.
Nga ana tjetër, organizimi dhe përkushtimi i udhëheqësve artistikë, prindërve dhe gjithë stafit të shoqërisë u reflektua qartë në nivelin e lartë të prezantimit. Atmosfera e gëzueshme pas performancave, fotografitë e përbashkëta dhe emocionet e artistëve të vegjël treguan më së miri shpirtin familjar dhe dashurinë që ekziston brenda kësaj shoqërie.
Me këto dy paraqitje të suksesshme në Das Tanzfest, Shoqëria Kulturore-Artistike “Dardania” dëshmoi edhe një herë se mbetet një ndër ambasadorët më të denjë të kulturës shqiptare në Zvicër, duke promovuar me krenari folklorin, traditën dhe shpirtin artistik shqiptar në çdo skenë ku prezantohet, me kualitet dhe seriozitet artistik, duke ruajtur gjithmonë autenticitetin dhe vlerat tona burimore, qoftë në vallëzim, qoftë në veshjet tradicionale, pa u larguar nga origjinaliteti që e bën kulturën tonë shqiptare të dallueshme dhe të respektuar para publikut zviceran dhe komuniteteve të tjera që jetojnë e veprojnë në mërgatë.
“Ne jemi rritur dhe kalitur me këtë frymë artistike tash e 32 vite të veprimtarisë sonë,” theksoi në fund Albulena Kqiku-Cakolli, e cila udhëhoqi dhe moderoi paraqitjet e “Dardanisë” në këtë festë të madhe kulturore të Winterthurit.
E-Diaspora
-
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka zgjedhur Kryesinë e re Në fjalën e tij pas zgjedhjes, Kryetari i ri, z. Zenun Krasniqi, falënderoi anëtarët për besimin... -
Prishtina fiton Kupën e Diasporës, pas penalltive mposht Kosovën e Gjenevës -
Dua Lipa në International Booker Prize Awards: Letërsia është ura më e fortë mes kulturave -
Mos i hidhni zarfet e votimit në kosh, vota juaj mbron pagën dhe të ardhmen në Zvicër -
Lozanë: Lot, emocione dhe kujtesë në promovimin e librit “Për ata që nuk u kthyen”
Jeta në Zvicër
-
Kardiologu i njohur bën thirrje për qetësi pas skandalit të spitalit universitar "Mos kini frikë. Mund të merrni trajtim në spitalet tona", tha kirurgu i njohur kardiak, René... -
Zvicra planifikon dënime më të ashpra për vjedhjen e biçikletave -
Shiriti problematik u implantua edhe në Spitalin Universitar të Bernës -
Nis faza e dytë e mbështetjes zvicerane për Fondin e Ballkanit Perëndimor -
Sot mbahen raundet e dyta të votimit në Winterthur dhe Cyrih












