Lajme

Dalin detaje të reja tronditëse për vdekjen e shqiptares në Nju-Jork

Raporti mjeko-ligjor zbulon shkakun e saktë të vdekjes së Donika Gocajt pas rënies në një pusetë të hapur në Manhattan

Detaje të reja tronditëse kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e shqiptaro-amerikanes Donika Gocaj në New York, pasi raporti mjeko-ligjor ka zbuluar shkakun e saktë të humbjes së jetës së saj pas rënies në një pusetë të hapur në Manhattan, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportit, 56-vjeçarja me origjinë nga Shkodra ka humbur jetën si pasojë e thithjes së avullit ekstremisht të nxehtë brenda pusetës, si dhe traumave të rënda të pësuara gjatë rënies. Mjekët kanë konstatuar djegie serioze në rrugët e frymëmarrjes dhe dëmtime në pjesën e gjoksit, të cilat kanë rezultuar fatale brenda pak momentesh.

Ajo që e bën ngjarjen edhe më tragjike është fakti se vdekja nuk ka ardhur kryesisht nga plagët fizike të jashtme, por nga ekspozimi ndaj avullit të nxehtë, i cili dyshohet se ka shkaktuar ndalje të menjëhershme të funksioneve jetësore.

Ngjarja ka ndodhur më 19 maj pranë Fifth Avenue në Manhattan, kur Donika Gocaj, sapo kishte zbritur nga një automjet, ka bërë një hap pas dhe ka rënë në një pusetë të hapur, duke u zhdukur menjëherë nga sipërfaqja.

Dëshmitarët kanë treguar se për disa minuta janë dëgjuar thirrjet e saj për ndihmë, ndërsa përpjekjet e qytetarëve për ta shpëtuar kanë qenë të pamundura për shkak të thellësisë së pusetës dhe avullit të fortë. Më pas në vendngjarje kanë ndërhyrë ekipet e emergjencës, por ajo është nxjerrë pa shenja jete.

Sipas raportimeve, në vendin e ngjarjes nuk kishte tabela paralajmëruese apo barriera sigurie, çka ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje mbi rrethanat e sigurisë publike.

Ngjarja ka shkaktuar dhimbje të thellë në familje, tek miqtë dhe në komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke lënë pas një rast tragjik që ka tronditur opinionin publik. /Albinfo.ch