Lajme

Rusia kërcënon Kievin me bombardime të reja dhe u bën thirrje të huajve të largohen

Rusia u ka bërë thirrje shtetasve të huaj që ndodhen në Kiev, përfshirë personelin diplomatik, të largohen sa më parë nga kryeqyteti ukrainas, duke paralajmëruar për sulme të reja ajrore nga ushtria ruse.

Paralajmërimi vjen pas një vale të rëndë bombardimesh ruse gjatë fundjavës ndaj Ukrainës, veçanërisht në Kiev, ku sipas autoriteteve ukrainase humbën jetën të paktën katër persona dhe rreth 100 të tjerë u plagosën. Rusia përdori për herë të tretë që nga fillimi i luftës raketën moderne “Oreshnik”, e aftë të mbajë edhe koka bërthamore.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme ruse tha se “sulme të reja do të kryhen ndaj qendrave vendimmarrëse dhe ndërmarrjeve të kompleksit ushtarako-industrial në Kiev”, pa specifikuar kohën e saktë të operacioneve.

“Po paralajmërojmë shtetasit e huaj, përfshirë stafin diplomatik dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, për nevojën që të largohen nga qyteti sa më shpejt të jetë e mundur. Gjithashtu, banorët e Kievit duhet të shmangin afrimin pranë objekteve ushtarake dhe administrative”, thuhet në deklaratë.

Sulm ndaj një shkolle të mesme

Diplomacia ruse iu referua gjithashtu një sulmi me dron nga Ukraina, që sipas Moskës goditi një konvikt shkolle të mesme në Starobilsk, në rajonin e Luhanskut të pushtuar nga Rusia në lindje të Ukrainës.

Sipas autoriteteve ruse, nga ky sulm humbën jetën 21 persona dhe mbi 40 të tjerë u plagosën. Ministria ruse e cilësoi sulmin si “të përgjakshëm” dhe “të qëllimshëm”, duke e konsideruar atë si “pikën e fundit”.

Nga ana tjetër, Ukraina mohoi se kishte shënjestruar civilë dhe deklaroi se kishte goditur disa objektiva ushtarake ruse gjatë asaj nate, përfshirë një “seli” të njësive të dronëve në zonën e Starobilskut.

Rusia kishte paralajmëruar më herët personelin diplomatik të huaj të largohej nga Kievi edhe para paradës së 9 Majit në Sheshin e Kuq në Moskë, duke kërcënuar Ukrainën me kundërpërgjigje nëse do të pengonte ceremonitë përkujtimore të fitores ndaj Gjermanisë naziste.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump kishte njoftuar më pas një armëpushim të përkohshëm mes dy vendeve.