Kosova

Dy milionë euro për mërgatën, shpërthejnë kritikat: Blerje haptas e votave

“Blerje votash me para publike”, vendimi për mërgatën shkakton stuhi reagimesh në Kosovë

Vendimi i Qeverisë së Kosovës në detyrë për ndarjen e dy milionë eurove për subvencionimin e biletave të fluturimit për diasporën ka nxitur kritika të shumta nga opozita dhe shoqëria civile, të cilat po e cilësojnë këtë veprim si përpjekje të hapur për ndikim elektoral në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, transmeton albinfo.ch.

Vendimi u mor në një mbledhje elektronike të Qeverisë, vetëm 12 ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Zyrtarisht, mjetet janë ndarë në kuadër të Masës 4.5 “Mbështetja e Mërgatës” të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, me arsyetimin për mbështetje të linjave ajrore që shërbejnë diasporën kosovare gjatë sezonit veror.

Megjithatë, kritikët po e shohin kohën e marrjes së këtij vendimi si shumë të ndjeshme politikisht, sidomos pasi vjen menjëherë pas shpërndarjes së rreth 100 milionë eurove për skema sociale dhe mbështetje financiare për kategori të ndryshme të qytetarëve.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Financave dhe kandidati i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, ka mohuar se vendimi lidhet me fushatën zgjedhore. Në një emisionin televiziv të Kosovës, ai deklaroi se subvencionimi ka të bëjë me nevojat e aviokompanive dhe sezonin veror.

“Kjo ka të bëjë me aviokompanitë, për të cilat është parë e nevojshme të ketë një skemë mbështetëse. Nuk ka të bëjë me fushatë, por me sezonin e verës”, deklaroi Murati.

Ai shtoi se rritja e çmimit të karburantit për aviacion ka krijuar vështirësi për kompanitë ajrore, të cilat sipas tij mund të anulojnë fluturimet, gjë që do të ndikonte edhe në numrin e pasagjerëve në Aeroportin e Prishtinës dhe në të hyrat ekonomike të shtetit.

Ai ka thënë kjo mbështetje është që kompanitë mos të anulojnë fluturimet, sepse do kishte më pak pasagjerë gjatë verës e rrjedhimisht edhe impakt negativ në ekonomi.

“Shumica e avio-kompanive, ato i shesin një pjesë të biletave më heret dhe pjesa tjeter ju mbetet më vonë, tash u rrit çmimi dhe kompanitë mund të anulojnë fluturimet”.

“Transferi 2 milionësh për zbatimin e masës 4.5, mbështetja e mërgatës, është për gjithë sezonin, mërgata vjen pas zgjedhjeve”, është shprehur Murati.

Por reagimet kundërshtuese kanë qenë të menjëhershme.

Juristi Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi e cilësoi vendimin si të dyshimtë dhe me elemente të mundshme të keqpërdorimit të parasë publike në prag zgjedhjesh, duke ironizuar edhe mungesën e reagimit institucional.

Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, kërkoi hetim urgjent nga Prokuroria e Shtetit, duke e quajtur vendimin “keqpërdorim të parasë publike në funksion të fushatës zgjedhore”.

“Prokuroria e Shtetit duhet të nisë menjëherë hetime për këtë skandal dhe për përgjegjësit e këtij vendimi. Heshtja në këtë rast do të ishte bashkëfajësi”, deklaroi Gruda.

Vendimi për subvencionimin e biletave po vazhdon të dominojë debatin politik në vend, ndërsa opozita po akuzon Qeverinë në detyrë për përdorim të buxhetit publik për përfitime elektorale, në një periudhë kur vendi po hyn në fazën përfundimtare të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit./Albinfo.ch

Vendimi për 2 milionë euro për fluturimet e mërgatës ngjall reagime të ashpra politike dhe publike