Lajme

Nga Tirana në Vjenë e Bernë, diaspora mobilizohet kundër ndërtimeve në Zvërnec

Diaspora ngrihet në mbrojtje të Zvërnecit, protesta paralajmërohen në pesë qytete evropiane

Kundërshtimi ndaj projekteve të planifikuara në zonën e Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës po zgjerohet përtej kufijve të Shqipërisë. Shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës kanë nisur organizimin e protestave dhe aktiviteteve sensibilizuese në mbështetje të ruajtjes së një prej zonave më të rëndësishme natyrore të vendit, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimeve të shpërndara në rrjetet sociale, protestat janë paralajmëruar të mbahen në Londër, Bernë, Madrid, Vjenë, Stokholm dhe Hagë, në datat e përcaktuara nga organizatorët.

Aktivistët shprehen të shqetësuar për ndikimin që projektet e planifikuara mund të kenë mbi ekosistemin e Lagunës së Nartës, një zonë e njohur për biodiversitetin e pasur dhe praninë e flamingove. Ata kërkojnë më shumë transparencë nga institucionet lidhur me planet zhvillimore dhe pasojat e mundshme mjedisore.

Sipas organizatorëve, mobilizimi i diasporës synon të rrisë ndërgjegjësimin publik dhe të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare mbi rëndësinë e mbrojtjes së kësaj pasurie natyrore.

Këto zhvillime vijnë në një kohë kur protestat kundër ndërtimeve në Zvërnec po vazhdojnë në Shqipëri, me tubime të organizuara në Tiranë, Vlorë dhe Durrës, duke e shndërruar çështjen në një nga debatet më të ndjekura publike të ditëve të fundit./Albinfo.ch