Lajme

Zvicra, gjiganti i fshehur i kafesë: Eksporton më shumë se çokollata dhe djathi së bashku

Edhe pse nuk kultivon kokrra kafeje, Zvicra është eksportuesi i dytë më i madh në botë për nga vlera, falë industrisë së përpunimit, inovacionit dhe teknologjisë së avancuar.

Kur përmendet Zvicra, shumica mendojnë për çokollatën, djathin apo orët luksoze. Megjithatë, një nga sukseset më të mëdha ekonomike të vendit lidhet me një produkt që nuk kultivohet fare në territorin e saj: kafenë, transmeton albinfo.ch.

Pavarësisht se klima zvicerane nuk lejon rritjen e kokrrave të kafesë, vendi është bërë eksportuesi i dytë më i madh i kafesë në botë për nga vlera. Madje, eksportet zvicerane të kafesë gjenerojnë më shumë të ardhura sesa eksportet e çokollatës dhe djathit të kombinuara.

Sekreti i këtij suksesi qëndron te përpunimi dhe vlera e shtuar. Kokrrat e kafesë importohen nga vende të ndryshme prodhuese në Amerikën Latine, Afrikë dhe Azi, ndërsa në Zvicër ato përpunohen, piqen dhe transformohen në produkte premium si kapsula kafeje, kafe e çastit dhe specialitete të tjera me vlerë të lartë tregtare.

Me kalimin e viteve, Zvicra është shndërruar në një qendër globale të tregtimit dhe inovacionit në industrinë e kafesë. Në vend është zhvilluar ajo që shpesh quhet “Coffee Valley”, një ekosistem që bashkon kompani ndërkombëtare të kafesë, tregtarë, ekspertë dhe qendra kërkimore të specializuara.

Një rol të rëndësishëm në këtë sukses luan edhe industria zvicerane e teknologjisë. Furnizuesit e komponentëve me precizion të lartë kanë bërë që Zvicra të jetë lider edhe në prodhimin e aparateve të kafesë. Sipas të dhënave të industrisë, rreth 70 për qind e aparateve plotësisht automatike të kafesë që prodhohen në botë përmbajnë teknologji ose komponentë të zhvilluar në Zvicër.

Ky kombinim i inovacionit, cilësisë dhe ekspertizës industriale e ka bërë Zvicrën një nga fuqitë më të mëdha globale në sektorin e kafesë, pavarësisht se asnjë kokërr kafeje nuk rritet në tokën e saj.

Nga një importues i thjeshtë i lëndës së parë, Zvicra ka arritur të ndërtojë një industri miliardëshe që furnizon tregjet në të gjithë botën dhe vazhdon të forcojë pozicionin e saj si një nga qendrat më të rëndësishme të kafesë në nivel global. /Albinfo.ch