Lajme

Nga Gjeneva, diaspora shqiptare ngre zërin: “Shqipëria nuk është në shitje”

Manifestimi, i organizuar në zemër të qytetit ku ndodhen organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, u shndërrua në një thirrje të fuqishme për mbrojtjen e pasurisë kombëtare, mjedisit dhe sovranitetit të vendit

Nën flamujt kuqezi dhe pankartat me mesazhe të forta për mbrojtjen e trojeve shqiptare, qindra shqiptarë u mblodhën më 6 qershor në Gjenevë për të protestuar kundër projekteve të planifikuara në Sazan, Zvërnec dhe Nartë. Manifestimi, i organizuar në zemër të qytetit ku ndodhen organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, u shndërrua në një thirrje të fuqishme për mbrojtjen e pasurisë kombëtare, mjedisit dhe sovranitetit të vendit.

Mes pankartave ku lexohej “Shqipëria nuk është në shitje”, “Rama shet, populli mbron”, “Sot Zvërneci, nesër e gjithë Shqipëria” dhe “Albania is not your Monopoly game”, protestuesit shprehën shqetësimin e tyre për atë që e konsiderojnë një kërcënim serioz ndaj zonave të mbrojtura dhe interesit publik.

Në protestë morën pjesë shqiptarë nga qytete të ndryshme të Zvicrës, por edhe qytetarë zviceranë dhe përfaqësues të komuniteteve të tjera që mbështesin kauzën.

Një nga organizatorët e protestës, Edon Duraku, tha se mobilizimi në Gjenevë nuk ishte thjesht një reagim ndaj një projekti të vetëm.

“Ne u mblodhëm në Gjenevë për t’ia përcjellë zërin e protestuesve në Shqipëri. Mbështesim kërkesat e tyre për anulimin e projekteve në Sazan dhe Zvërnec/Nartë, për mbrojtjen ligjore të këtyre zonave dhe për respektimin e vullnetit të qytetarëve. Nëse Edi Rama do të ishte sot para nesh, do t’i thoshim: dëgjoje popullin dhe jep dorëheqje”, deklaroi ai.

Sipas Durakut, debati shkon shumë përtej aspektit mjedisor.

“Historia e shqiptarëve është e mbushur me humbje territoresh, shpronësime dhe padrejtësi. Për shumë qytetarë, ajo që po ndodh sot në Sazan, Zvërnec dhe Nartë përfaqëson një formë të re të neokolonializmit ekonomik, ku interesat e kapitalit dhe të oligarkëve vendosen mbi interesat e komuniteteve lokale.”

Ai theksoi se kjo është një çështje që prek sovranitetin kombëtar, pronësinë e tokës dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi të ardhmen e vendit të tyre.

Edhe strategjistja politike Dorina Xhixho e konsideron këtë lëvizje si shumë më tepër se një protestë mjedisore.

“Vendimet për Zvërnecin dhe Sazanin janë perceptuar nga shumë qytetarë si shprehja më e rëndë e mungesës së ndjeshmërisë ndaj trashëgimisë kombëtare, historisë, kulturës dhe natyrës sonë. Për këtë arsye, ato mund të cilësohen si antishqiptare dhe si tradhti kombëtare”, deklaroi ajo.

Sipas saj, protesta e nisur për mbrojtjen e Sazanit dhe Zvërnecit është në fakt shpërthimi i një zemërimi të akumuluar prej vitesh.

“Ajo nuk lidhet vetëm me një projekt të caktuar, por me një ndjesi të thellë padrejtësie, braktisjeje dhe përçmimi që shumë shqiptarë e ndiejnë prej kohësh.”

Screenshot

Xhixho vlerësoi veçanërisht rolin e brezit të ri në këtë mobilizim.

“Këto protesta po udhëhiqen nga rinia. Janë studentët dhe gjimnazistët që po ngrihen për t’i thënë jo emigracionit të detyruar dhe po kërkojnë kushte dinjitoze për të jetuar në vendin e tyre.”

Ajo shtoi se diaspora ka një rol të pazëvendësueshëm në këtë lëvizje, pasi njeh nga afër pasojat e largimit masiv të shqiptarëve nga vendi.

Nga ana e tij, deputeti i Grand Conseil të Gjenevës, Léonard Ferati, theksoi se çështja prek vetë identitetin kombëtar.

“Trojet shqiptare nuk janë pronë e përkohshme e një qeverie, e një partie apo e një grupi interesash. Ato janë pasuri kombëtare që u përkasin brezave të kaluar, brezit tonë dhe brezave që do të vijnë.”

Screenshot

Sipas Feratit, zhvillimi ekonomik nuk mund të ndërtohet duke sakrifikuar interesin publik, transparencën dhe trashëgiminë kombëtare.

“Investimet janë të mirëpritura kur respektojnë ligjin, komunitetin dhe trashëgiminë kombëtare, por asnjë investim nuk mund të justifikojë shitjen e identitetit dhe të historisë sonë. Diaspora nuk proteston kundër zhvillimit. Ajo proteston për një zhvillim të drejtë, të qëndrueshëm dhe në shërbim të popullit.”

Një element i veçantë i protestës ishte prania e madhe e të rinjve. Studentë, familje të reja dhe shqiptarë të lindur ose të rritur në diasporë marshuan krah për krah me brezin e parë të emigrantëve, duke treguar se lidhja me atdheun mbetet e fortë edhe larg kufijve të Shqipërisë.

Për organizatorët, protesta e Gjenevës nuk përfaqëson fundin e një aksioni, por fillimin e një mobilizimi më të gjerë.

Ata bëjnë të ditur se manifestime të tjera po përgatiten në qytete të ndryshme të Zvicrës, përfshirë Gjenevën, Lozanën, Bernën dhe qendra të tjera ku jeton diaspora shqiptare. Datat dhe vendet do të publikohen sapo të përfundojnë procedurat organizative dhe autorizimet përkatëse.

Ndërkohë, çështja e Sazanit dhe Zvërnecit po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje edhe në mediat evropiane. Sipas organizatorëve, reagimet e fundit ndërkombëtare tregojnë se debati tashmë ka kaluar kufijtë e Shqipërisë dhe po shihet si një çështje që prek mbrojtjen e mjedisit, trashëgiminë kulturore dhe standardet demokratike.

Screenshot

Mes flamujve kuqezi, thirrjeve patriotike dhe pankartave që kërkonin mbrojtjen e trojeve shqiptare, mesazhi që doli nga Gjeneva ishte i qartë: Shqipëria nuk është në shitje. Trojet shqiptare nuk janë mall. Ato janë trashëgimia e një kombi dhe përgjegjësi ndaj brezave që do të vijnë.

Fotot: Semra Bekiri