Botërori 2026

Xhemaili kritikon Zvicrën

Xhemaili tha se te Zvicra po shihet shumë pasiguri dhe mungesë disipline taktike

Ish-reprezentuesi zviceran dhe analisti i Blick-ut, Blerim Xhemaili, ka kritikuar paraqitjen e kombëtares zvicerane pas barazimit 1:1 me Katarin në Botërorin 2026, duke veçuar veçanërisht sjelljen taktike të disa lojtarëve, përfshirë talentin e ri Winsley Boteli Manzambi.

Në podcastin “FORZA!”, Xhemaili tha se te Zvicra po shihet shumë pasiguri dhe mungesë disipline taktike, transmeton albinfo.ch.

Sipas tij, lojtarët duhet të vendosin interesin e ekipit mbi atë individual. “Fryma e ekipit duhet të rikthehet dhe egoizmi duhet të largohet tani”, theksoi ai.

Xhemaili la të kuptohet se Manzambi shpesh largohej nga pozicionet e caktuara, duke krijuar probleme në organizimin defensiv të skuadrës. Ai shtoi se në një turne si Botërori, çdo lojtar duhet të respektojë rolin e tij dhe, nëse është e nevojshme, të sakrifikohet për ekipin.

Ish-mesfushori zviceran kritikoi gjithashtu atmosferën rreth kombëtares, duke thënë se ka “shumë zhurmë dhe trazira” brenda ekipit. Sipas tij, deklaratat e fundit të kapitenit Granit Xhaka tregojnë se skuadra duhet të rikthehet te uniteti dhe përqendrimi që kishte para fillimit të turneut.

Zvicra tani përballet me një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Bosnjës, ku fitorja konsiderohet pothuajse e domosdoshme për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim në fazën tjetër të Botërorit.