Kosova

Policia e Kosovës po e heton vdekjen e burrit në Aeroportin e Prishtinës

Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke hetuar vdekjen e një burri, të cilit thuhet se i është keqësuar gjendja në Aeroportin e Prishtinës të dielën pasdite.

Ai thuhet se është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim, ku ka vdekur.

“Lidhur me rastin, viktimës mashkull kosovar pasi i ishin shfaqur probleme shëndetësore i njëjti është dërguar në QKUK ku më pas ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kompetent”, thuhet në raportin policor.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë thuhet se është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Një ditë më parë, mediat nga Kosova raportuan se një burrë kishte vdekur gjatë udhëtimit nga Zvicra në Kosovë.