Portrete të firmave

“She Leads 2026” bëri bashkë bizneset shqiptare nga Zvicra, Kosova dhe Maqedonia e Veriut

Sipërmarrëse e profesionistë, përfaqësues institucionesh dhe personalitete të njohura nga Zvicra, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u bënë pjesë e “She Leads 2026”, panairit të sipërmarrësisë dhe karrierës që e ktheu Badenin e Zvicrës në një pikëtakim të rëndësishëm të biznesit shqiptar në diasporë. Përmes një organizimi me pjesëmarrje të gjerë, kompani nga sektorë të ndryshëm, diplomatë dhe një program i pasur profesional e kulturor dëshmuan potencialin në rritje të sipërmarrjes shqiptare, si dhe fuqinë e rrjetëzimit ndërmjet biznesit, institucioneve dhe komunitetit në Zvicër.

I organizuar nga platforma albinfo.ch në bashkëpunim me sipërmarrëset shqiptaro-zvicerane Lume Deari dhe Ganimete Bilalli, ky aktivitet konfirmoi rolin e tij si një platformë e rëndësishme e promovimit dhe bashkëpunimit ekonomik në diasporë. Panairi krijoi një hapësirë unike ku bizneset patën mundësinë të prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre, të ndërtojnë partneritete të reja strategjike dhe të shkëmbejnë përvoja me profesionistë e investitorë nga vende të ndryshme.

Videoreportazh nga Genti Mersinaj:

Ngjarjen e nderuan me praninë e tyre ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Republikës së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, si dhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi. Pjesëmarrja e tyre, së bashku me përfaqësuesit e tjerë institucionalë dhe diplomatikë, i dha ngjarjes një peshë të veçantë zyrtare dhe konfirmoi rëndësinë e diasporës shqiptare në zhvillimin ekonomik dhe në promovimin e imazhit të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

“She Leads 2026” dëshmoi se sipërmarrja shqiptare në diasporë po fiton peshë, ndikim dhe hapësirë në tregun zviceran dhe atë ndërkombëtar. Përmes takimeve të biznesit, prezantimeve, rrjetëzimit profesional dhe shkëmbimit të përvojave, ngjarja krijoi mundësi të reja bashkëpunimi dhe promovoi historitë e suksesit që po ndërtohen në fusha të ndryshme.

Ky edicion ishte një dëshmi e fuqisë së bashkimit, vizionit dhe potencialit të komunitetit, duke sjellë së bashku biznesin, institucionet, diplomacinë, kulturën dhe lidershipin në një platformë të vetme. Me pjesëmarrje të gjerë, organizim të suksesshëm dhe interes të madh nga publiku, kjo ngjarje la pas një mesazh të qartë: kur talenti, puna dhe bashkëpunimi bëhen bashkë, suksesi nuk njeh kufij.

Fotografi nga Genti Mersinaj!

“She Leads 2026” bëri bashkë bizneset shqiptare nga Zvicra, Kosova dhe Maqedonia e Veriut

Organizimi i suksesshëm i panairit”She Leads 2026″ është bërë i mundur falë mbështetjes së partnerëve dhe sponsorëve, si smzh, KIESA nga Kosova, Air Prishtina, Augenzentrum Biberist dhe Augenzentrum Emmen, lg1, Gani Transport, R&R Rent A Car, të cilët kontribuojnë në fuqizimin e rolit të gruas në lidership dhe biznes.