Kosova

Haradinaj: Do ta shqyrtoja kandidaturën për president, por AAK nuk hyn në Qeverinë Kurti

Kreu i AAK-së thotë se vetëm një marrëveshje e opozitës me kandidat të përbashkët për president mund të ndryshojë situatën politike në vend

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se do ta shqyrtonte kandidaturën për president të vendit nëse emri i tij do të propozohej si kandidat i përbashkët i opozitës, përcjell albinfo.ch.

Në një deklarim për media, Haradinaj theksoi se AAK-ja nuk do të bëhet pjesë e një qeverie të udhëhequr nga Albin Kurti, duke e cilësuar vazhdimin e qeverisjes së Vetëvendosjes si të dëmshëm për Kosovën.

Sipas tij, opozita mund të bëhet faktor vendimtar vetëm nëse arrin një marrëveshje politike të përbashkët, e cila do të përfshinte edhe një kandidat unik për president.

“Po të kishte një kandidat të mbështetur nga e gjithë opozita, unë do ta mbështesja. Nëse do të propozohej emri im, do ta shqyrtoja. Nuk jam kandidat dhe nuk kam vendosur kushte apo kërkesa për askënd”, deklaroi Haradinaj.

Ai shtoi se, për sa kohë Lëvizja Vetëvendosje ruan mbështetjen elektorale mbi 40 për qind, vendi do të vazhdojë të jetë në atë që ai e quajti “epoka Kurti”, duke paralajmëruar se pa një alternativë të bashkuar opozitare, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme.

Haradinaj theksoi se vetëm bashkimi i opozitës mund të ndryshojë zhvillimet aktuale politike dhe të krijojë një alternativë qeverisëse.

Në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, AAK u rendit sërish forca e katërt politike, duke siguruar 7 deputetë. Së bashku, PDK, LDK dhe AAK kanë 47 ulëse në Kuvend, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 53 mandate. Për formimin e qeverisë nevojiten 61 vota, ndërsa për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë gjatë dy raundeve të para të votimit./Albinfo.ch