Kosova

Burgu i Gjilanit po lirohet për të burgosurit nga Danimarka

Qendra e Paraburgimit në Gjilan po zbrazet për të pritur të burgosurit nga Danimarka

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka njoftuar se ka nisur procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, pas njoftimit zyrtar të pranuar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Sipas OAK-së, mbyllja e kësaj qendre po realizohet në kuadër të zbatimit të Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës, i cili parasheh shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze.

“Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës jemi njoftuar zyrtarisht se ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan”, thuhet në njoftimin e OAK-së.

Institucioni ka bërë të ditur se ka nisur edhe transferimi gradual i personave të privuar nga liria drejt institucioneve të tjera korrektuese në vend.

Sipas njoftimit, procesi do të zhvillohet në faza, në përputhje me vlerësimet e sigurisë, kapacitetet akomoduese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Oda e Avokatëve u ka bërë thirrje avokatëve që përfaqësojnë persona të privuar nga liria, të cilët deri më tani kanë qenë të vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, që të verifikojnë paraprakisht institucionin korrektues ku janë transferuar klientët e tyre.

Sipas OAK-së, ky hap është i nevojshëm për të shmangur vonesat procedurale dhe për të garantuar ushtrimin efektiv të së drejtës së mbrojtjes gjatë periudhës së tranzicionit.

Në fund, Oda e Avokatëve theksoi se do të vazhdojë të informojë komunitetin e avokatëve për çdo zhvillim zyrtar që lidhet me këtë proces, me qëllim lehtësimin e komunikimit dhe ushtrimit të profesionit./Albinfo.ch