Lajme

Austri: Rrëzohet një aeroplan, dy të vdekur

Në lindje të Austrisë, dje ka ndodhur një aksident, ku është rrëzuar një aeroplan i vogël dhe si pasojë kanë humbur jetën piloti dhe një pasagjer.

“Aksidenti ndodhi pranë Gaming në lindje të vendit”, ka deklaruar një zëdhënës i qendrës së operacioneve të emergjencës së Austrisë së Poshtme për dpa, transmeton albinfo.at.

Sipas njoftimit nga policia, një vajzë adoleshente dhe një pasagjer tjetër mashkull u shpëtuan të gjallë nga vendi i rrëzimit në një pyll malor, ndërkohë që mbetën të lënduar rëndë.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura shkaqet e mundshme të aksidentit, mirëpo detektivët nga forcat policore dhe ekspertët shtetërorë të aksidenteve të aviacionit kanë nisur një hetim.

Ndryshe, vendi i rrëzimit, është terren i vështirë për t’u qasur, teksa zjarrfikësit njoftuan se punonjësit e shpëtimit duhej të hapnin rrugën përmes shkurreve duke përdorur sharra zinxhirësh dhe pajisje të tjera dhe të ndërtonin një kalim të improvizuar mbi një përrua për të arritur te aeroplani.

Gaming është një komunë e vogël rurale në shtetin federal të Austrisë së Poshtme teksa fshati ndodhet pranë malit Ötscher, i cili është pak më pak se 1,900 metra i lartë.