Lajme
Alarm në Zvicër: Dhjetëra kamera private sigurie transmetojnë pamje “live” në internet pa mbrojtje
Një hulumtim i Radio Televizionit Zviceran (SRF) ka zbuluar se dhjetëra kamera private të sigurisë në Zvicër janë të pambrojtura dhe transmetojnë pamje drejtpërdrejt në internet, duke lejuar këdo t’i shikojë ato pa autorizim.
Kamerat e mbikëqyrjes janë instaluar për të garantuar sigurinë e njerëzve dhe pronës, por në shumë raste ato po prodhojnë efektin e kundërt. Sipas hulumtimit të SRF-së, rreth 75 kamera të lidhura me internetin në Zvicër mund të aksesohen lirshëm nga kushdo, pa pasur nevojë të anashkalohen fjalëkalimet, enkriptimi apo ndonjë dobësi e softuerit.
Gazetarët përdorën një motor të specializuar kërkimi për pajisjet e lidhura me internetin dhe zbuluan se pamjet e këtyre kamerave ishin të disponueshme publikisht në kohë reale, transmeton albinfo.ch.
Rrezik serioz për privatësinë
Shumë prej kamerave nuk ofrojnë vetëm pamje “live”, por lejojnë edhe kontrollin e tyre përmes një shfletuesi interneti. Në disa raste është e mundur që përdoruesit e paautorizuar të lëvizin kamerën, të zmadhojnë imazhin, të ndryshojnë cilësimet dhe madje të nisin, ndalin ose riprodhojnë regjistrimet.
Nëse në pamje shfaqen objekte karakteristike, ndërtesa ose logo kompanish, së bashku me vendndodhjen e përafërt të adresës IP mund të përcaktohet edhe pozicioni i saktë i kamerës.
Çfarë transmetojnë këto kamera?
Hulumtimi identifikoi kamera të vendosura në ambiente të ndryshme:
Prona private, ku monitorohen hyrjet e shtëpive, oborret, kopshtet, korridoret apo bodrumet. Përmes tyre mund të shihet nëse një makinë luksoze ndodhet para shtëpisë, kush hyn dhe del nga ndërtesat e banimit apo nëse fëmijët po luajnë në pishinë.
Biznese private, ku kamerat transmetojnë punonjës dhe klientë në servise automjetesh, dyqane ushqimore, ambiente seminarësh, teleferikë malorë, klube tenisi, fusha golfi dhe aeroporte të vogla sportive. Shumica e personave të filmuar nuk janë të vetëdijshëm se po shfaqen drejtpërdrejt në internet.
Hapësira publike, ku transmetohen rrugë, sheshe, porte dhe zona pranë objekteve të njohura, duke bërë të mundur identifikimin e kalimtarëve dhe automjeteve pa pëlqimin e tyre.
Sipas SRF-së, në shumë raste nuk është e qartë arsyeja pse këto kamera transmetojnë publikisht, ndërsa cenimi i privatësisë është i dukshëm.
Jo të gjitha kamerat përbëjnë problem
Hulumtimi thekson se një pjesë e kamerave transmetojnë qëllimisht pamje publike, si ato turistike që shfaqin motin në zonat malore, panoramat e qyteteve ose liqeneve. Po ashtu, transmetimet për monitorimin e kafshëve të egra apo të infrastrukturës konsiderohen përgjithësisht të padëmshme.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se kamerat private duhet të konfigurohen me masa të forta sigurie për të shmangur ekspozimin e paautorizuar të jetës private dhe të dhënave personale.
Hulumtimi i SRF-së rikthen në vëmendje rëndësinë e mbrojtjes së privatësisë dhe nevojën që pronarët e kamerave të kontrollojnë konfigurimin e pajisjeve të tyre, në mënyrë që pamjet të mos jenë të aksesueshme nga kushdo në internet.
E-Diaspora
-
Ndahet nga jeta mjeku i njohur, Dr. Imer Hajdari Mjeku shqiptar nga Drenica ka pasur tri ordinanca gjinekologjike, obstetrike dhe onkologjike në Cyrih, në Bernë... -
Oda Ekonomike e Kosovës fton bizneset në takimet B2B me diasporën -
Kosovare Asllani vazhdon kontratën me London City Lionesses deri në vitin 2027 -
Zvicër
Vaxhid Sejdiu: Shkolla Shqipe në Zvicër mbyll vitin shkollor, nisin regjistrimet për 2026/2027 -
Kosovë
135 futbollistë e futbolliste nga diaspora morën pjesë në kampet e FFK-së
Jeta në Zvicër
-
Biletat e festivaleve në Zvicër janë shtrenjtuar me mbi 40% në një dekadë Adhuruesit e muzikës në Zvicër po paguajnë mesatarisht mbi 40 për qind më shumë për biletat... -
Investimet në startup-et zvicerane bien me 15.5% në gjysmën e parë të vitit -
“Na duhet referendum për kondicionerët” – si po luftojnë zviceranët me vapën ekstreme -
Zvicra nis hetim ndaj Google -
Ndahet nga jeta mjeku i njohur, Dr. Imer Hajdari













