Lajme

Anketë: Zviceranët e shohin të ardhmen me optimizëm, pavarësisht sfidave ekonomike

80% e qytetarëve në Zvicër besojnë se e ardhmja do të jetë pozitive

Pavarësisht krizave ndërkombëtare, rritjes së kostos së jetesës dhe pasigurive ekonomike, shumica e qytetarëve në Zvicër vazhdojnë ta shohin të ardhmen me optimizëm. Një anketë e re tregon se 8 në 10 zviceranë shprehen të sigurt për të ardhmen e tyre, ndërsa burimet kryesore të këtij besimi mbeten marrëdhëniet shoqërore, shëndeti dhe siguria financiare, shkruan Swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Studimi u realizua nga instituti hulumtues Sotomo në emër të kompanisë së sigurimeve Helvetia, duke përfshirë 1,866 persona nga pjesët gjermanofolëse dhe frankofolëse të Zvicrës.

Sipas rezultateve, optimizmi është më i lartë tek personat mbi 65 vjeç, ku 86% deklarojnë se e shohin të ardhmen me besim. Po ashtu, qytetarët me të ardhura më të larta rezultojnë edhe më optimistë, me 89% që shprehen pozitivë për vitet në vijim. Ndërkohë, dallime vërehen edhe sipas rajoneve gjuhësore: 82% e banorëve në Zvicrën gjermanofolëse janë optimistë, krahasuar me 73% në pjesën frankofolëse.

Anketa tregon se miqësitë dhe marrëdhëniet romantike përbëjnë burimin kryesor të besimit për 50% të të anketuarve, ndërsa familja renditet menjëherë pas tyre me 49%. Po aq të rëndësishëm konsiderohen edhe shëndeti personal (49%), vetëbesimi (46%) dhe siguria financiare (42%).

Pothuajse të gjithë të anketuarit (98%) deklarojnë se kanë objektiva të qarta për jetën. Dëshira më e përhapur është të plaken me shëndet të mirë (77%), e ndjekur nga dëshira për të udhëtuar (51%), për të krijuar familje (48%) dhe për të arritur mirëqenie financiare (42%).

Megjithatë, besimi se këto synime do të realizohen ndryshon ndjeshëm: qytetarët janë më optimistë për krijimin e familjes (81%) dhe martesën (79%), ndërsa shumë më pak besojnë se do të arrijnë të plaken me shëndet të mirë (45%) ose të sigurojnë prosperitet financiar (43%).