Shqipëria

Shqipëri: Nisin përgatitjet për ta zëvendësuar lekun me euro

Shqipëria ka filluar përgatitjet ligjore për adoptimin e monedhës euro. 

Projektligji i ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i publikuar për konsultim publik, përfshin për herë të parë një kapitull të veçantë që rregullon funksionimin e Bankës së Shqipërisë pas anëtarësimit të vendit në Eurozonë, raporton A2.

Bëhet e ditur se sipas projektligjit, nga dita kur euro të prezantohet si monedha zyrtare e Republikës së Shqipërisë, ajo do të bëhet njësia monetare e vendit, duke zëvendësuar lekun.

Ky dokument përcakton se Banka e Shqipërisë do të jetë përgjegjëse për hedhjen në qarkullim dhe tërheqjen e kartëmonedhave dhe monedhave euro, në përputhje me rregullat e Bashkimit Evropian dhe të Bankës Qendrore Evropiane, transmeton albinfo.ch.

Banka e Shqipërisë do të ketë kompetencën të përcaktojë dizajnin kombëtar të monedhave metalike euro që do të emetohen nga Shqipëria, duke respektuar standardet e Bashkimit Evropian.

Ndryshe, Shqipëria gjatë kësaj jave mbylli tre kapitujt e parë negociues për anëtarësim në BE teksa i kanë mbetur edhe 30.