Lajme

Kompania zvicerane Stadler do të prodhojë 21 tramvaje për qytetin Austin në SHBA

Kontrata me operatorin texan parashikon edhe mundësinë e porositjes së 19 tramvajeve shtesë, ndërsa vlera maksimale e projektit mund të arrijë në 352 milionë dollarë

Prodhuesi zviceran i mjeteve hekurudhore Stadler ka arritur marrëveshje për furnizimin e qytetit Austin në Teksas me 21 tramvaje të tipit Citylink. Marrëveshja me operatorin Austin Transit Partnership (ATP) përfshin gjithashtu një opsion për blerjen e 19 tramvajeve të tjera.

Tramvajet e reja do të kenë kapacitet për rreth 240 pasagjerë dhe do të prodhohen në fabrikën amerikane të Stadlerit në Salt Lake City, Utah. Kompania me seli në kantonin Thurgau po zgjeron në këtë mënyrë praninë e saj në tregun amerikan të transportit publik, transmeton albinfo.ch.

Bordi drejtues i ATP-së ka autorizuar fillimisht 39 milionë dollarë për punët përgatitore të projektit. Sipas njoftimit të operatorit, vlera totale e kontratës me çmim të përcaktuar nuk duhet të tejkalojë 352 milionë dollarë.

Tramvajet do të përdoren në rrjetin e parë hekurudhor urban të Austin-it. Projekti parashikon ndërtimin e 15 stacioneve përgjatë një linje me gjatësi prej afro 16 kilometrash.

Kjo porosi vjen pak pasi Stadler inauguroi zgjerimin e fabrikës së tij në Salt Lake City, duke rritur kapacitetet prodhuese në Shtetet e Bashkuara dhe duke synuar kontrata të tjera të mëdha në sektorin amerikan të transportit.