Shqipëria

The Guardian: Dua Lipa mbështet protestat kundër resortit luksoz në Sazan

Artistja me origjinë shqiptare e cilësoi lëvizjen qytetare “frymëzuese”, ndërsa kërkoi më shumë transparencë dhe mbrojtje të mjedisit për projektin e mbështetur nga investitorë të lidhur me familjen Trump.

Gazeta prestigjioze britanike The Guardian i ka kushtuar një artikull reagimit të këngëtares me origjinë shqiptare, Dua Lipa, lidhur me protestat kundër projektit të resortit turistik që planifikohet të ndërtohet në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit, përcjell albinfo.ch.

Në një bisedë me akademiken dhe shkrimtaren shqiptare Lea Ypi, në podcastin e saj Service95 Book Club, Dua Lipa e cilësoi lëvizjen qytetare kundër projektit si “frymëzuese”, duke vlerësuar angazhimin e qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit.

Ajo theksoi se shqetësimet kryesore lidhen me ndryshimet ligjore që, sipas kritikëve, mundësuan ndërtimet në zona të ndjeshme natyrore pa një proces të gjerë konsultimi publik, duke nënvizuar se transparenca dhe mbrojtja e mjedisit duhet të jenë përparësi.

Sipas The Guardian, projekti me vlerë rreth 1.6 miliardë euro parashikon ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit dhe mijëra vilave në Zvërnec. Investimi mbështetet nga investitorë të udhëhequr nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump.

Nga ana tjetër, Qeveria e Shqipërisë e ka cilësuar projektin si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

Reagimi i Dua Lipës është mirëpritur nga organizatat mjedisore dhe aktivistët, të cilët e kanë vlerësuar si një mbështetje të rëndësishme për kauzën e tyre, veçanërisht për ndikimin që artistja ka te të rinjtë shqiptarë.

Sipas The Guardian, protestat në Tiranë kanë hyrë në javën e gjashtë, ndërsa kundërshtarët e projektit vazhdojnë të kërkojnë më shumë transparencë dhe mbrojtje të zonave me vlera të veçanta natyrore. Organizatorët e projektit, ndërkaq, kanë deklaruar se synojnë një zhvillim të përgjegjshëm, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përfitime afatgjata për komunitetet lokale./Albinfo.ch