Kosova

Komisionerja e BE-së: Sot është një ditë historike për zgjerimin e Bashkimit Evropian

Marta Kos: Shqipëria mbyll kapitujt e parë të negociatave, ndërsa Ukraina, Moldavia dhe Mali i Zi po shënojnë përparim të rëndësishëm.

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, e ka cilësuar të martën si një ditë historike për procesin e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se për herë të parë në më shumë se dy dekada do të mbahen katër konferenca pranimi brenda së njëjtës ditë, përcjell albinfo.ch.

Sipas saj, katër vendet kandidate – Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi – po shënojnë përparim të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Me Ukrainën dhe Moldavinë po hapim Grupin 6, që mbulon fusha si mbrojtja dhe siguria, ku argumentet për anëtarësimin e tyre në BE janë veçanërisht të forta”, deklaroi Kos.

Ajo bëri të ditur se Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë të negociatave, ndërsa Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave zyrtare, pasi ka mbyllur tashmë 18 nga 33 kapitujt.

“Në fund, momenti i sotëm duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, u shpreh komisionerja evropiane./Albinfo.ch