Lajme
Tages-Anzeiger:» Hetime, borxhe dhe anulime fluturimesh, çfarë po ndodh me GP Aviation?»
Sipas një hulumtimi të gazetës zvicerane Tages-Anzeiger, anulimet e fluturimeve, procedurat e përmbarimit dhe hetimet e autoriteteve gjermane kanë ngritur pikëpyetje rreth kompanisë. Për herë të parë ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve themeluesi Ganesh Piga
Sipas një hulumtimi të publikuar nga gazeta zvicerane Tages-Anzeiger, kompania ajrore GP Aviation, e cila gjatë viteve të fundit është shndërruar në një nga operatorët kryesorë të fluturimeve mes Zvicrës, Gjermanisë dhe Kosovës, po përballet me akuza për probleme financiare, hetime në Gjermani dhe një numër në rritje të kërkesave të papaguara për kompensimin e pasagjerëve.
Në të njëjtin artikull, themeluesi i kompanisë, Ganesh Piga, i mohon këto pretendime dhe deklaron se gjendja financiare e GP Aviation është e qëndrueshme.
«Në kulmin e sezonit veror GP Aviation anuloi disa fluturime drejt Prishtinës, në disa raste vetëm 24 orë para nisjes, duke prekur qindra udhëtarë nga Shtutgarti, Dyseldorfi dhe Memingeni. Kompania, e themeluar në vitin 2019 nga piloti zviceran Ganesh Piga, u bë e njohur falë biletave me çmime të ulëta për destinacionet drejt Kosovës.», shkruan Tages-Anzeiger.
Po sipas Tages-Anzeiger, Piga u arrestua këtë pranverë në Gjermani nën dyshimin për shkelje tatimore dhe, sipas raportimeve mediatike të cituara nga gazeta, GP Aviation dyshohet se ka detyrime tatimore në vlerë prej rreth nëntë milionë eurosh.
GP Aviation anulon fluturime drejt Prishtinës, themeluesi mohon problemet financiare
Në reagimin e tij për Tages-Anzeiger, Ganesh Piga i hedh poshtë këto pretendime. Ai deklaron se gjendja financiare e kompanisë është e qëndrueshme si në afat të shkurtër, ashtu edhe në atë afatgjatë.
Sipas tij, GP Aviation ka ruajtur numrin e pasagjerëve në nivelin e vitit të kaluar dhe pret rritje gjatë viteve 2026 dhe 2027.
Sipas gazetës, Piga mohon gjithashtu se anulimet e fundit lidhen me probleme financiare. Sipas Pigës, ato janë shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme, rritja e çmimit të karburantit dhe rënia e kërkesës për udhëtime.
Ai shton se janë prekur vetëm disa fluturime shtesë dhe se për të gjithë pasagjerët janë organizuar alternativa.
“Nëse një kompani ajrore nuk do të kishte kapacitet të mjaftueshëm ekonomik, mund t’i hiqej licenca e operimit. Fakti që GP Aviation vazhdon fluturimet pa asnjë kufizim tregon se kompania i përmbush të gjitha kërkesat rregullatore.”, thotë Piga për Tages-Anzeiger.
Megjithatë, Tages-Anzeiger shkruan se dokumentet që ka siguruar redaksia hedhin dyshime mbi këtë version. Gazeta raporton se ndaj kompanisë po zhvillohen hetime nga autoritetet doganore dhe prokuroria në Gjermani. Për shkak të sekretit tatimor, autoritetet nuk japin detaje mbi procedurën, ndërsa ndaj të përfshirëve vazhdon të vlejë prezumimi i pafajësisë.
Piga ka komentuar edhe arrestimin e tij, duke deklaruar se është liruar nga paraburgimi pa pagesë garancie, pa kusht dhe pa masa të tjera sigurie. Ai shton se, pas përfundimit të procedurës gjyqësore, rezervon të drejtën të kërkojë dëmshpërblim për masat që janë marrë ndaj tij.
Një tjetër çështje që ngre gazeta lidhet me kërkesat e papaguara për kompensimin e pasagjerëve. Sipas Tages-Anzeiger, portali Cancelled fitoi një proces gjyqësor në Bullgari kundër GP Aviation për vonesa dhe anulime fluturimesh, por pagesat ende nuk janë ekzekutuar. Drejtuesi i portalit, Simon Sommer, thotë se ekzistojnë edhe shumë kërkesa të tjera të hapura dhe se gjasat për t’i arkëtuar ato janë të vogla.
Gazeta raporton gjithashtu se, sipas një ekstrakti të regjistrit të Bankës Kombëtare të Bullgarisë, gjatë vitit 2026 është rritur ndjeshëm numri i sekuestrimeve dhe procedurave të përmbarimit ndaj GP Aviation. Edhe drejtuesi i portalit Flyhelp, Ulpian Leka, deklaron se organizata e tij ka kërkesa të papaguara me vlerë gjashtëshifrore ndaj kompanisë dhe se vetëm një pjesë e vogël e tyre është arkëtuar.
Një tjetër zbulim i Tages-Anzeiger është ndryshimi i pronësisë së kompanisë. Sipas regjistrit tregtar bullgar, Ganesh Piga ia ka shitur GP Aviation më 21 prill 2026 biznesmenit gjermano-kosovar Edvin Rramanaj, vetëm pak javë para se të bëhej publik arrestimi i tij. Kompania nuk ka bërë të ditura arsyet e shitjes, çmimin e transaksionit apo rolin aktual të Pigës.
«Pse Piga vendosi ta shesë kompaninë dhe me çfarë çmimi është realizuar transaksioni, GP Aviation nuk e bën të ditur. Kompania mjaftohet të thotë se bëhet fjalë për “arsye të brendshme dhe konfidenciale”. Ajo nuk jep asnjë sqarim edhe për rolin aktual të Ganesh Pigës dhe përgjegjësitë që ai ka ende brenda kompanisë.», shkruan Tages-Anzeiger.
Në hulumtimin e saj, Tages-Anzeiger analizon edhe mënyrën se si GP Aviation u bë operatori kryesor i fluturimeve mes Kosovës dhe Zvicrës.
Sipas gazetës, në vitin 2024 Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës i dha kompanisë të drejtat e operimit në bazë të një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, dokument që nuk është bërë publik.
Gazeta zvicerane ngre pikëpyetje mbi transparencën e procesit të përzgjedhjes.
“GP Aviation i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara dhe për këtë arsye fitoi të drejtën e operimit”, thotë Piga dhe shton se hyrja e kompanisë në treg ka rritur konkurrencën.
“Është e kuptueshme që ndryshime të tilla mund të prekin interesat ekonomike të operatorëve që kanë qenë më parë në këtë treg”, deklaron ai.
Subvencione nga Kosova
Sipas hulumtimit të Tages-Anzeiger, pak javë pas arrestimit të Ganesh Pigës, Qeveria e Kosovës shpalli një program subvencionimi prej dy milionë eurosh për kompanitë ajrore që ofrojnë fluturime mes Kosovës dhe diasporës.
Zyrtarisht, fondi synon të kompensojë rritjen e kostove të karburantit, por si vetë subvencionet ashtu edhe koha e shpalljes së tyre kanë nxitur diskutime. Meqenëse GP Aviation është një nga operatorët më të mëdhenj në linjat drejt Prishtinës, kompania mund të përfitojë një pjesë të konsiderueshme të këtyre fondeve.
Megjithatë, Ganesh Piga ka deklaruar për Tages-Anzeiger se programi nuk përbën një paketë shpëtimi financiar për kompaninë dhe se, deri në momentin e intervistës, GP Aviation nuk kishte marrë asnjë pagesë nga ky fond.
Gjithnjë e më shumë fluturime drejt Kosovës nga Zvicra dhe Gjermania
Sipas të dhënave të publikuara nga Tages-Anzeiger, tregu i fluturimeve drejt Kosovës është zgjeruar ndjeshëm gjatë dy viteve të fundit.
Në periudhën nëntor 2024 – tetor 2025 janë regjistruar rreth 4.000 fluturime nga Bazeli drejt Prishtinës, ndërsa në linjën Dyseldorf–Prishtinë numri i fluturimeve është rritur me 20 për qind.
Gazeta zvicerane thekson se GP Aviation ka ushtruar presion të madh mbi konkurrencën duke ofruar shpesh bileta me çmime nën 100 franga, me bagazh të përfshirë.
Megjithatë, Tages-Anzeiger vëren se në Zvicër nuk ka shenja që kompania të ketë probleme me pagesat operative.
Swissport, e cila ofron shërbimet tokësore për GP Aviation në aeroportet e Cyrihut dhe Bazelit, ka konfirmuar për gazetën se faturat e kompanisë paguhen sipas kontratës dhe brenda afateve të përcaktuara.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
I mori fëmijët dhe iku në Francë, 30-vjeçarja nga Kosova përfundon nën hetim U largua në Francë me fëmijët pa autorizim, 30-vjeçarja përballet me hetime... -
Itali
Shqiptari nga Kosova shpëton një 41-vjeçar nga mbytja në Itali -
Angli
Gjendet i vdekur 28-vjeçari shqiptar në Angli, policia heton rastin si vrasje -
Studentët shqiptarë në Lozanë: Mes dy identiteteve, sfidave dhe së ardhmes -
Vevey: Kosovari dënohet me 20 vjet burg për vrasjen e partneres së tij
Jeta në Zvicër
-
Gjenevë: Propozohet ndalimi i automjeteve të zhurmshme gjatë natës Një deputet kërkon mbylljen e disa rrugëve për makinat dhe motoçikletat që shkaktojnë zhurmë të tepërt,... -
Mijëra banesa sociale në Cyrih të zëna nga qiramarrës që nuk i plotësojnë kushtet -
Rriten ndjeshëm konfliktet mes punëdhënësve dhe punëmarrësve në Zvicër -
Bazeli paralajmëron qytetarët: Mos qëndroni nën pemë gjatë valës së të nxehtit -
Cyrihu, Zvicra Qendrore dhe ajo lindore përfshihen nga një stuhi e fortë












