Kosova

Kosova dhe Mali i Zi nënshkruajnë marrëveshje për njohjen e identifikimit elektronik

Marrëveshja synon të lehtësojë qasjen në shërbimet digjitale dhe të forcojë bashkëpunimin institucional mes dy vendeve.

Kosova dhe Mali i Zi do të nënshkruajnë sot një marrëveshje për njohjen reciproke të identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara, duke shënuar një hap të ri në avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e digjitalizimit, transmeton albinfo.ch.

Marrëveshja do të firmoset nga ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike i Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, dhe ministri i Administratës Publike i Malit të Zi, Marash Dukaj.

Sipas njoftimit zyrtar, kjo marrëveshje pritet të lehtësojë përdorimin e shërbimeve elektronike ndërmjet dy shteteve, duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët, bizneset dhe institucionet publike.

Pas ceremonisë së nënshkrimit, dy ministrat do të mbajnë një konferencë për media, ku do të prezantojnë detajet dhe rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Ceremonia do të zhvillohet në objektin e ish-Rilindjes, me fillim nga ora 14:00. /Albinfo.ch