Lajme

Nga sot bien temperaturat në Zvicër, vapës i vjen fundi

Pas javësh me temperatura mbi 30 gradë, nga e premtja priten stuhi, breshër dhe një rënie e ndjeshme e temperaturave.

Pas disa javësh me vapë intensive, net tropikale dhe temperatura që tejkaluan 30 gradë Celsius, Zvicra po përgatitet për një ndryshim të ndjeshëm të motit, përcjell albinfo.ch.

Sipas MeteoSwiss, nga dita e premte moti do të bëhet më i paqëndrueshëm, me reshje shiu, stuhi dhe ulje të ndjeshme të temperaturave, transmeton albinfo.ch.

Gjatë pasdites priten zhvillime të shumta të reve, të shoqëruara me reshje lokale dhe stuhi të forta. Në disa zona ekziston rreziku për breshër, erëra të forta dhe reshje intensive.

Autoritetet meteorologjike kanë lëshuar paralajmërim të nivelit 3 për stuhi në një brez të gjerë që përfshin zonat nga Berni, përmes Cyrihut, deri në Kur (Chur).

Temperaturat maksimale do të zbresin në 23 deri në 25 gradë Celsius, ndërsa mëngjesi i së hënës pritet të jetë dukshëm më i freskët, me temperatura rreth 15 gradë.

Meteorologët theksojnë se vera nuk ka përfunduar, por vala e të nxehtit do të marrë një pauzë të përkohshme në ditët në vijim./Albinfo.ch