Kosova

Kosova sërish në alarm portokalli, paralajmërohen stuhi të forta me shi, breshër dhe erëra të fuqishme

Kosova në nivelin portokalli të sigurisë, IHMK njofton për shi, breshër e stuhi

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka lëshuar paralajmërim të nivelit portokalli për të gjithë territorin e vendit, duke njoftuar se gjatë ditës së sotme priten stuhi të fuqishme të shoqëruara me reshje intensive shiu, breshër, bubullima dhe erëra të forta, përcjell albinfo.ch.

Sipas IHMK-së, paralajmërimi është në fuqi nga ora 00:00 deri në 23:59 të datës 22 korrik 2026 dhe përfshin të gjitha rajonet e Kosovës.

Instituti bën të ditur se zhvillimet e fuqishme konvektive mund të shkaktojnë goditje nga rrufetë, përmbytje të shpejta lokale, dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe telekomunikacion, si dhe dëme në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore, veçanërisht si pasojë e breshrit dhe erërave të forta.

Po ashtu, është paralajmëruar edhe rritje e rrezikut për zjarre të shkaktuara nga shkarkimet atmosferike.

IHMK u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura gjatë stuhive, të mos strehohen nën pemë të vetmuara apo pranë shtyllave elektrike dhe të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të rrugëve të rrëshqitshme dhe dukshmërisë së reduktuar.

Instituti ka njoftuar se do të vazhdojë monitorimin e situatës meteorologjike dhe, sipas nevojës, do të publikojë përditësime të reja./Albinfo.ch