Kosova

Haxhiu: Kosova shpreh gatishmëri për të ndihmuar Francën në përballjen me zjarre

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Kosova është e gatshme t’i ofrojë mbështetje Francës në kuadër të kapaciteteve të saj shtetërore, për përballimin e situatës së krijuar nga zjarret masive.

Sipas saj, ndihma mund të përfshijë angazhimin në operacionet për shuarjen e zjarreve dhe në aksionet e kërkim-shpëtimit.

“Qëndrojmë pranë popullit francez dhe të gjithë atyre që po punojnë për të mbrojtur jetët e njerëzve dhe komunitetet e prekura nga zjarret”, është shprehur Haxhiu.

Zjarret në Francë dhe Spanjë vazhdojnë të jenë aktive, ndërsa përhapja e flakëve po favorizohet nga erërat e forta. Deri më tani raportohet se rreth 300 mijë persona janë detyruar të evakuohen nga zonat e rrezikuara.

Në Francë, përveç ekipeve të zjarrfikësve, në përballimin e situatës janë angazhuar edhe forcat e armatosura, pasi ekipet emergjente janë përballur me ngarkesë të madhe. Në operacione është përfshirë edhe një avion transporti ushtarak i flotës franceze.