Kosova

A do të ulen remitencat nga diaspora për shkak të inflacionit?

Në Kosovë, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shtator 2022 me muajin shtator 2021 ishte 12.7%

Diaspora shpeshherë është quajtur si “infuzion i ekonomisë” së Kosovës. Kjo për faktin se dërgesat nga bashkatdhetarët arrijnë deri në vlera nëntëshifrore brenda vitit, ku vlen të theksohet se vetëm gjatë vitit 2021 remitencat kapën vlerën prej 1.44 miliardë eurosh, shkruan Albinfo.ch.

Por a mund të ndodhë që edhe vetë “infuzioni” i ekonomisë së Kosovës të dobësohet nga kriza financiare globale, dhe dërgesat të mos jenë më edhe aq në shifra të larta?

Duke e analizuar situatën ekonomike globale, me krizën financiare të shkaktuar fillimisht nga pandemia Covid-19, më pas lufta në Ukrainë, kriza energjetike, e rritja e normave të interesit, inflacioni ka shënuar rritje rekorde në shumë vende të botës. “Inflacioni në botë parashikohet të rritet nga 4.7 për qind më 2021, në 8.8 për qind në 2022-ën, e që do të bjerë në 6.5 për qind më 2023 dhe në 4.1 për qind më 2024”, thuhet në raprotin “Perspektiva Ekonomike Botërore: Luftimi i krizës së kostos së jetesës” të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), shkruan Albinfo.ch.

Në Kosovë, norma vjetore e inflacionit e matur në muajin shtator 2022 me muajin shtator 2021 ishte 12.7%, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Mirëpo, krahas kësaj rritje të çmimeve në Kosovë, nuk është se u rritën edhe të hyrat përmes pagave, derisa për shumë kosovarë që kanë anëtarë të familjes jashtë vendit remitencat janë baza kryesore për jetesë.

Por, duke e pasur parasysh që edhe shtetet të cilat prijnë me dergesat e remitencave përjetuan inflacionin, disa më shumë e disa më pak, ku sipas Trading Economics, Gjermania ka normën e inflacionit vjetor 10%, Zvicra 3.3% dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 8.2%, vjen në diskutim nëse kjo do të ndikojë në ulejn e dërgesave të parave që bëjnë bashkatdhetarët për familjarët e tyre në Kosovë, shkruan Albinfo.ch.

Eksperti i ekonomisë në Zvicër, Ardian Retkoceri, thotë se inflacioni do të prekë si dërguesit, ashtu edhe marrësit e remitencave në mbarë botën.

“Ndërsa ngritja e kostos së jetesës është vërejtur globalisht, shumë pak flitet për ndikimin që këto kosto kanë tek emigrantët në mbarë botën. Shumë pak flitet për ndikimin e inflacionit në remitanca. Inflacioni prek si dërguesit ashtu edhe marrësit e remitancave në mbarë botën. Pse është ky një shqetësim? Nëse diaspora jonë, si rezultat i inflacionit dhe humbjes së vlerës së parasë, kanë më pak të ardhura të disponueshme, ata kanë më pak për të dërguar në vendlindje. Për më tepër, pjesa më e madhe e remitancave të dërguara përdoren për konsum ditorë, si: ushqim, energji e transport, sherbime mjekësore, shkollim, etj. Inflacioni më i lartë është regjistruar pikërisht në artikujt e shërbimet që mbulohen nga dërgesat e remitencave. Pra, edhe nëse diaspora vazhdon të dërgojë të njëjtën shumë të parasë në vendlindje, përfituesit e remitancave nuk mund të blejnë të njëjtën sasi të produkteve e shërbimeve sikur një vit më parë”, shprehet Retkoceri në një prononcim për Albinfo.ch.

Edhe profesori i ekonomisë në Kosovë, Nazmi Zeqiri, thotë se për shkak të globalizimit dhe asaj që bota është më e ndërvarur se asnjëherë më parë, inflacioni do të ndikojë në dergesat e diasporës.

Inflacioni është prezent pothuajse në secilin shtet dhe për shkak të globalizimit tani bota është me e ndërvarur më shumë se ndonjëherë me parë por ka nivele të ndryshme të inflacionit në vende të ndryshme për shkak të përgjigjes që vendet e ndryshme i kanë dhënë inflacionit qoftë me masa monetare qoftë me masa fiskale…Tani patjetër se nivelet e inflacionit do të ndikojnë në remitencat e diasporës sepse me ngritjen e çmimeve që të gjithëve, përfshirë edhe diasporën, inflacioni ju ka bërë jetën me të shtrenjtë e të ardhurat më të ulëta në kuptimin e fuqisë blerëse, prandaj edhe dërgesat mund të jenë me të vogla krahasuar me trendin. Parashikimet e sakta mund ti japin institucionet kredibile sic janë Fondi Monetar apo Banka Botërore por ajo çka dihet është se krejt indikatorët ekonomik kanë hy në fazën e rënies e cila do të vazhdoj edhe për vitin 2023. Prandaj këto trende do të kenë ndikim edhe në remitancat e diasporës”, thotë profesori Zeqiri, në një përgjigje për Albinfo.ch.

Ngjashëm është shprehur edhe eksperti i financave në Zvicër gjatë një intervistë për Albinfo.ch, Gzim Hasani.

“Kjo priret të jetë e mundur, sepse konsumatori mund të kursejë më pak kur çmimet janë më të larta, që do të thotë se më pak likuiditet kthehet tek emigrantët në vendet e tyre. Megjithatë, për shkak të kursit aktualisht tërheqës të këmbimit shuma nominale euro që transferohet në vendin e origjinës ka një ndikim të vogël. Përveç kësaj, sigurisht që duhet të merret parasysh edhe inflacioni përkatës vendor”, thotë Hasani.

A u ul vlera e remitencave gjatë vitit 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021, sipas statistikave zyrtare?

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), “për dallim nga tremujorët paraprak të vitit 2021 kur ishte shënuar rritje e lartё e remitencave, nё TM1 2022 niveli i remitencave ishte 241.4 milionё euro, apo 0.6 pёrqind mё pak krahasuar me TM1 2021“.

Ndërsa, sipas Buletinit Mujor Statistikor për muajin Gusht 2022 të publikuar nga BQK, remitencat në Kosovë përjetuan rritje nga 311.5 milionë euro në tremujorin e dytë (Prill, Maj, Qershor) të 2021, në 314.1 milionë euro në tremujorin e dytë të vitit 2022.

Rritje kishte po ashtu në dërgesat e muajit korrik nga 102.5 milionë euro vitin e kaluar në 114.9 milionë euro në të njejtin muaj të vitit 2022, dhe nga 110.6 milionë euro dërgesa në gusht të vitit 2021, në 125.4 milionë euro në gusht të 2022, përcjell Albinfo.ch.

Sa u përketë shteteve që prijnë me këto dërgesa janë Gjermania, Zvicra, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Austria.

Ndryshe, shuma e remitencave të dërguara në Kosovë për vitin tre vjetët e fundit ishte: në 2019 – 852 milionë euro, 2020 – 980.2 euro dhe 2021 – 1.44 miliardë euro.

Ndërsa, sipas Bankës Botërore, pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është rreth 20 për qind./Albinfo.ch