Bota

A funksionon java e punës me 4 ditë?

E dinim që punonjësit e duan javën e punës me 4 ditë. Një program pilot në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se ajo u pëlqen edhe shefave

Java e punës me katër ditë… funksionon.

Ky është mesazhi i kompanive të monitoruara nga afër, që kanë zgjedhur javën e punës me katër ditë në programet pilot, të drejtuara nga organizata jofitimprurëse 4 Day Week Global.

Sipas një sondazhi të publikuar, 78% e drejtuesve të më shumë se 70 kompanive në Britaninë e Madhe, që kanë zgjedhur javën e punës me katër ditë, thonë se tranzicioni ka qenë i mirë ose “i qetë”. Vetëm 2% deklaruan se ishte sfiduese. Pjesa më e madhe (88%) thotë se oraret në katër ditë funksionojnë mirë, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Ideja e një jave pune me katër ditë nuk është shaka. Ligjvënësit në Kaliforni morën së fundi në konsideratë, por më pas e braktisën atë, projektin e një jave pune me katër ditë në të gjithë shtetin për disa punonjës. Një studim i Gartner Inc. zbuloi se java e punës më e shkurtër është një nga strategjitë më të mira për rekrutimin dhe qëndrimin e punonjësve.

Në disa vende po zhvillohen ndërkohë programe pilot 6-mujore, në më shumë se 180 kompani. Në përgjithësi, punëdhënësit zgjedhin javë me katër ditë pune dhe 32 orë (në varësi të rolit dhe sektorit), pa shkurtim page. Në projektin pilot të Mbretërisë së Bashkuar, drejtuesit e kompanive me gjithsej 3.300 punonjës u pyetën gjatë gjysmës së rrugës.

Programi po zhvillohet në bashkëpunim me Day Week Campaign dhe think tank Autonomy, dhe një partneriteti për mbledhjen e të dhënave me kërkuesit e Boston College, të Universitetit të Cambridge dhe Universitetit të Oxford.

Thuajse gjithë kompanitë britanike pjesëmarrëse (86%) deklaruan se me shumë gjasa do të vijojnë të zbatojnë javën e punës me katër ditë edhe pas përfundimit të projektit pilot në nëntor. Thuajse gjysma, 49%, deklaroi se produktiviteti është përmirësuar, ndërsa 46% pohoi se ka mbetur i qëndrueshëm.

“Është shumë pozitive të shohësh këto të dhëna” – deklaroi Joe O’Connor, CEO i 4 Day Week Global, i cili priste që kompanitë të shfaqnin produktivitet më stabël. “Ne do të shohim një sukses të madh në produktivitet, nëse produktiviteti do të mbetej i pandryshuar”.

Programe pilot po vijojnë në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Zelandën e Re, Australi, Irlandë dhe Kanada.

Jo të gjitha kompanitë që e nisin projektin pilot e përfundojnë atë – tha O’Connor. Rreth 1 punëdhënës në 5 e braktis, më shumë se gjysma gjatë fazës së para-planifikimit. Drejtuesit që kanë ndërmarrë studimet pilot thonë se duhet të përballen me sfidën e dyfishtë për të kapërcyer rregullat me pesë ditë të personelit dhe sektorit, përveç detyrës së vështirë për të ndryshuar proceset e punës, për të arritur të njëjtin rezultat në katër ditë.

Kur kompanitë e braktisin fazën e planifikimit, “arsyeja kryesore është se drejtuesit reflektojnë shumë mbi të dhe frikësohen – tha O’Connor. – Ata kërkojnë të zgjidhin çdo problem apo çështje të mundshme para se të nisin zbatimin, gjë që është e pamundur, pasi shumë rritje të produktivitetit dhe përmirësime të procesit mbështeten dhe udhëhiqen nga ekipi”.

Eksperti thekson vështirësi edhe në mesin e kompanive me kulturë mosbesuese mes drejtuesve dhe punonjësve. “Ata mendojnë se kanë një stil vendimmarrës të hapur, nga poshtë lart, por në të vërtetë mund të mos jetë kështu”. Dhimbjet e rritjes janë pjesë e procesit.

“Në fillim nuk ishte e lehtë, por asnjë ndryshim i rëndësishëm nuk është i tillë” – deklaroi, Nicci Russell, CEO i Waterwise, një organizatë jofitimprurëse e fokusuar në reduktimin e konsumit të ujit. “Na është dashur të gjithëve të punojmë për këtë – aspekte të tilla si pushimet vjetore mund ta bëjnë më të vështirë përshtatjen e gjithçkaje. Por punonjësit janë mjaft të kënaqur dhe sigurisht të gjithëve ne na pëlqen një ditë më shumë jashtë zyrës”.

Kompanitë që kanë vështirësi në zbatimin e orarit me katër ditë punë në javë janë shpesh shumë të vogla dhe veprojnë në sektorë që kërkojnë një mbulim me turne në 5 apo 7 ditë, për të cilin nevojitet një planifikim më i saktë në një staf të vogël.

Pjesëmarrësit e projektit në Mbretërinë e Bashkuar u përkasin sektorëve të ndryshëm si arsimi, media, mikpritja, sektori shëndetësor dhe përfshijnë Charity Bank, shoqëri e transparencës së zinxhirit të furnizimit Everledger, platformën e komunikimit me klientët Secure Digital Exchange dhe Royal Society of Biology.

O’Connor ka mësuar se kur kompanitë nuk kanë më nevojë për të, gjërat shkojnë mirë. “Ata kanë nevojë për ne në fazat e para, – tha ai. – Kur kërkesa për kontakt me ne zbehet, do të thotë se ata janë në rrugën e duhur në realizimin e këtij projekti”.