Kosova

AAK vendos gjashtë kushte për ta mbështetur formimin e institucioneve

Ardian Gjini thotë se AAK-ja nuk synon të jetë pjesë e qeverisë, por kërkon zbatimin e disa projekteve strategjike dhe ekonomike.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka paraqitur gjashtë kërkesa që, sipas saj, duhet të zbatohen nga Lëvizja Vetëvendosje nëse dëshiron mbështetjen e kësaj partie për formimin e institucioneve të reja, përcjell albinfo.ch.

Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, theksoi se partia e tij nuk synon të jetë pjesë e qeverisë, por është e gatshme të ndihmojë në zhbllokimin e situatës politike nëse plotësohen disa prioritete që i konsideron të rëndësishme për vendin.

Sipas Gjinit, kërkesat përfshijnë pranimin e menjëhershëm të projektit të gazit amerikan, nisjen e procedurave për ndërtimin e një termocentrali me thëngjill për të forcuar pavarësinë energjetike, rritjen e pragut të TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro për bizneset e vogla, lirimin e tokës së punuar nga tatimi në pronë, financimin e plotë të projekteve prioritare të infrastrukturës dhe krijimin e një fondi prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për investime në Prishtinë.

“Ne e mbështesim cilëndo marrëveshje mes partive. Në një vend normal, me politikanë të përgjegjshëm, nuk do të ishte fare e rëndësishme se a zgjidhet së pari presidenti apo qeveria. Kur kjo bëhet temë bllokade, është shkelje e Kushtetutës”, deklaroi Gjini, duke shtuar se këto pika janë të panegociueshme.

I pyetur për mundësinë e kandidimit të Ramush Haradinajt për president, Gjini tha se kjo nuk është vendosur si kusht nga AAK-ja, ndonëse sipas tij Haradinaj do të ishte kandidati më i mirë për këtë post.

“Nëse ka nevojë për kuorum, do ta bëjmë kuorumin. Nuk kërkojmë asgjë. Ne mendojmë se Kosova nuk do të mund të kishte president më të mirë se Ramush Haradinaj, por nuk duam ta bllokojmë vendin. Jemi të gatshëm ta bëjmë kuorumin dhe nuk kemi asnjë kusht vetjak”, u shpreh ai.