Kosova

Aeroporti i Prishtinës me rekorde

Vetëm në muajin gusht, aeroporti i Prishtinës ka pasur 2 212 fluturime me mbi 300 mijë udhëtarë

Aeroporti “Adem Jashari” në Prishtinë ka thyer një rekord të ri.

Vetëm gjatë muajit gusht, në aeroportin e Prishtinës janë regjistruar mbi 300 mijë udhëtarë, ndërsa janë realizuar 2 212 fluturime, shkruajnë mediat vendore.

Kështu ka njoftuar menaxheri i planifikimit të fluturimeve në Aeroportin “Adem Jashari”, Driton Hyseni, i cili ka thënë se në raport me gushtin e vitit 2018, rritja në fluturime është 16 për qind, ndërsa në udhëtarë 10 për qind, përcjell albinfo.ch.

“Mbi 300 mijë udhëtarë (302,131) të shërbyer vetëm gjatë muajit gusht, ndërsa janë realizuar 2 212 fluturime. Në raport me gushtin e vitit 2018, rritja në fluturime është 16 për qind e në udhëtarë 10 për qind. Shifra prej mbi 300 mijë udhëtarëve paraqet rekordin e aeroportit sa i takon numrit të udhëtarëve të shërbyer në interval kohor brenda një muaji kalendarik, gjithashtu numri prej më shumë se 2 mijë e dyqind fluturimesh është numri më i madh i fluturimeve të realizuara ndonjëherë për një muaj”, ka shkruar Driton Hyseni në llogarinë e vet në “Facebook”.