Kosova

Ambasadës së Kosovës në Australi i vihet ‘çelësi’

Ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, ka bërë të ditur se sot ka përfunduar misionin e tij si ambasador i Kosovës në këtë shtet

Por një gjë të tillë ai tha se nuk e ka bërë siç e kërkon rendi. Abazi ka njoftuar se nuk ka pasur kujt t’ia lërë çelësat e ambasadës, brenda së cilës ka shumë dokumente konfidenciale të Republikës së Kosovës.

“Prita deri në ora 17:00 minuta me kohën e Australisë. Askush nuk erdhi për të bërë pranim-dorëzimin në Ambasadën e Republikës së Kosovës. Nuk u bë ky akt institucional, për shkak se qeveria, edhe pas tre muajve dështoi të sjellë një diplomat dhe aktualisht ambasada mbeti pas asnjë diplomat të vetëm”, ka shkruar Abazi në Facebook, transmeton Albinfo.ch.

“E mbylla Ambasadën duke lënë gjithçka sikurse ishte, në mënyrë të rregullt, i lashë të gjithë çelësat brenda dhe më nuk kam asnjë qasje në të, dhe në ora 17:07 minuta dola nga Ambasada. Qoftë edhe për ca javë, Ambasada de facto është e mbyllur, pasi që aty është vetëm stafi teknik dhe asnjë komunikim zyrtar në emër të ambasadës nuk mund të bëhet”, shkroi tutje ai.

Abazi ka bërë të ditur se nga data 31 gusht më nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi institucionale.