Integrimi

Bullakaj: Si deputet nacional do të promovoj barazinë e shanseve të migrantëve

Arbër Bullakaj është zgjedhur nënkryetar i Partisë Socialdemokrate në nivel kantoni (St.Gallen) dhe njëkohësisht është nominuar për deputet nacional i partisë së tij nga po ky kanton.

E shtuna e javës së kaluar ka qenë ditë me fat për Arbër Bullakajn, politikanin dhe afaristin 28 vjeçar nga qyteti Will i Kantonit St. Gallen, Zvicra Lindore. Këtë ditë ai është zgjedhur nënkryetar i Partisë Socialdemokrate në nivel kantoni  dhe njëkohësisht është nominuar për deputet nacional i partisë së tij nga po ky kanton. Dy arritje që sigurisht nuk ndodhin shpesh. albinfo.ch ka ndjekur zhvillimin politik të Arbrit që nga fillimet e tij dhe me rastin e dy nominimeve të tij ka zhvilluar një intervistë me të.

albinfo.ch: Ju në të njëjtën ditë jeni nominuar si kandidat për deputet në Parlamentin Nacional dhe jeni zgjedhur nënkryetar i partisë (SP/PS) në nivel Kantoni. Dy arritje mjaft të larta për një të ri me sfond migracioni siç jeni ju. Si ndjeheni pas një dite të tillë të suksesshme dhe kujt i jeni më shumë mirënjohës për këtë?

Arbër Bullakaj: Ka qenë një ditë e bukur dhe e suksesshme. Unë jam nominuar dy herë brenda kësaj dite dhe në të dy herët jam zgjedhur pa asnjë votë kundër. Kjo, natyrisht më gëzon tej mase shumë. Një falënderim i veçantë i shkon seksionit tim të Partisë Socialdemokrate të qytetit Wil, i cili më ka falur besimin dhe më ka rekomanduar si kandidat. Po ashtu dua të falënderoj kryesinë e SP-së së Kantonit të St. Gallenit , i cili së bashku me seksionet dhe ekipin zgjedhor ka përpunuar listën dhe më ka pranuar edhe mua në këtë listë. Gjithsesi i jam mirënjohës edhe udhëheqjes dhe të pranishmëve të SP-së të kantonit të St. Gallenit në konferencën ku u bë përzgjedhja. Këta, më në fund e kanë mundësuar nominimin tim.

albinfo.ch: Si keni ardhur deri këtu, gjegjësisht cila ka qenë procedura që është ndjekur për të ju kandiduar në këto dy poste? Ju mbani numrin 9 në listë. A ka kjo ndonjë peshë për zgjedhje?

A.Bullakaj: Secili seksion i propozon kandidatët që dëshiron dhe ia ofron emrat e tyre ekipit zgjedhor. Ky ekip pastaj, së bashku me kryesinë, i përzgjedh 12 kandidatët. Pas kësaj këta kandidatë i prezantohen udhëheqjes së partisë të kantonit, e cila e bën rekomandimin dhe propozimin final. Në listën prej 12 vetave unë kam numrin 9 të listës. Vendi në listë nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për mua pasi që ai nuk ka ndonjë ndikim vendimtar në rezultatin zgjedhor. Në fakt janë dy vendet e fundit në listë që shpeshherë pësojnë. Nisur nga kjo, unë mund të jem shumë i kënaqur.

albinfo.ch: A keni besuar se do të nominoheni dhe sa ka qenë e vështirë konkurrenca?

A.Bullakaj: Natyrisht, kam shpresuar shumë se do të nominohesha. Megjithëkëtë jam ndjerë i befasuar kur kjo ka ndodhur në realitet, pasi që dihet se vendi në një listë kandidatësh për Parlamentin Nacional është shumë i lakmuar. Duke qenë se St. Galleni është një kanton i madh, me 491 mijë banorë, në proporcion me këtë është i madh edhe numri i politikanëve që interesohen për të kandiduar për Parlamentin Nacional. Fakti që mua, krahas deputetes së deritashme nacionale, më besohet përfaqësimi i qarkut tim Wil-Untertoggenburg, është një privilegj i madh që po më bëhet.

albinfo.ch: Në rast se Ju, ashtu siç besojmë, do të jeni deputet në Parlamentin Nacional të Zvicrës, cilat do të jenë prioritetet e punës suaj atje?

A.Bullakaj: Pikat e mia më të forta janë në fushën e financave dhe në politikën e integrimit. Në lëmin e financave mbështetem në plane dhe veprime afatgjata. Veprimet shkurtpamëse i kushtojnë shtetit dhe janë joefikase. Politika e sotme në këtë fushë, edhe nga shkaku i ndjekjes së një politike simbolesh dhe polemizuese, është shumë joefikase. Po ashtu, unë jam për barazinë e shanseve dhe drejtësinë e shanseve. Secili; burrë ose grua, i ri apo i vjetër, zviceran apo migrant, të gjithë duhet të kenë shanse të njëjta. Ne sot kemi një gjendje të mbrapshtë, në të cilën një për qind e popullatës zotëron aq pasuri sa zotëron 99 përqindëshi tjetër i kësaj popullate. Qofshin edhe vetëm këto shifra, ato flasin se ne nuk kemi  barazi shansesh por  ngritje të një elite. Unë, me një sërë masash që do t`i ndërmarr, dua të veproj kundër kësaj.

albinfo.ch: Ju në këto vite si këshilltar në Asamblenë në Wil dhe si politikan në përgjithësi jeni profilizuar më shumë si përfaqësues i interesave të qytetarëve me prejardhje të huaj. A do të vazhdoni edhe në nivelin nacional të njëjtën gjë?

A.Bullakaj: Si politikan duhet të veprosh në fushat ku i identifikon problemet. Unë kam parë boshllëqe të mëdha në lëmin e demokracisë dhe në politikën e integrimit. Migrantët e përjetojnë shpesh mbi lëkurën e tyre deficitin e demokracisë dhe mbingarkesën qe lidhet me këtë deficit, mungesë. Unë nuk e kam ndërmend te pajtohem me këtë gjendje dhe për këtë arsye, së bashku me bashkëmendimtarët e mi, angazhohem në mënyrë aktive për integrim. Në kuadër të këtij angazhimi bëjnë pjesë marrja e masave të rëndësishme për drejtësinë e shanseve dhe për një bashkëjetesë paqësore e të mirë.
Por unë jam po ashtu i mendimit se nga të ardhurit duhet të kërkohet bërja e përpjekjeve për t`u integruar. Mësimi i gjuhës dhe angazhimi për shoqërinë dhe bashkësinë, për mua është një domosdo për secilin migrant. Si deputet nacional unë do të vazhdoja t`i qëndroj linjës sime politike dhe të angazhohem për një politikë të mirë financiare dhe integruese.

albinfo.ch: Nga shqiptarët e Zvicrës deri më tash nuk ka dalë asnjë deputet nacional. A mund të thuhet se ju do të jeni edhe kandidat i komunitetit shqiptar atje? çfarë mund t`u premtoni shqiptarëve që do të votojnë për ju?

a.Bullakaj: Në Zvicër jetojnë shumë migrantë me prejardhje shqiptare. Përkundër kësaj, deri më tash nuk ka pasur ndonjë deputet të nivelit nacional me rrënjë shqiptare. Natyrisht që unë si deputet nacional do të angazhohem për interesat e shqiptarëve dhe ato të të gjithë migrantëve. Ata janë pjesë e Zvicrës sonë dhe e bëjnë të mundur jetën që ne po e jetojmë këtu. Ka mjaft politikanë polemizues të cilët politikën e tyre destruktive e zhvillojnë mbi kurrizin e njerëzve që duan të jetojnë në paqe. Koha është për një kundërpeshë në këtë drejtim! Unë jam i gatshëm t`u qasem temave të tilla dhe të përballem me politikën ndërsyese të SVP/UDC-së. Këtë do ta bëj përmes sqarimit dhe aksioneve tjera për ruajtjen dhe zhvillimin e një Zvicre të hapur ndaj botës dhe tolerante.

albinfo.ch: Si mund të ju mbështesin pjesëtarët e komunitetit shqiptar dhe të tjerët në këto zgjedhje? A keni planifikuar takime me ta në kuadrin e fushatës?

A.Bullakaj: Ka mënyra të ndryshme mbështetjeje. Njëra prej tyre është qasja në portalin tim dhe anëtarësimi në komitetin tim zgjedhor. Një mënyrë tjetër është që të më mbështesin përmes propagandës me gojë ose përmes kontributeve në rrjetet sociale. Natyrisht, çdo donacion për zgjedhje do të ishte i mirëseardhur.
Duke qenë se kandidatura ime tashmë është konfirmuar përfundimisht, unë në javët e ardhshme do ta përpiloj një plan intensiv për koordinimin e aksioneve të mia të fushatës zgjedhore. Do të udhëtoj nëpër gjithë kantonin dhe do të zhvilloj aksione në vendet më të ndryshme. Në këtë kontekst për mua ka shumë rëndësi që secili zgjedhës të ketë mundësinë të më takojë personalisht dhe të diskutojë me mua.

Kush është Arbër Bullakaj

Arbër Bullakaj është i lindur në vitin 1986 në Prizren. Nga viti 1994 jeton në Zvicër ku bashkë me familjarët tjerë i është bashkuar babait i cili jetonte dhe punonte këtu prej rreth njëzet vitesh.
Arbri udhëheq një firmë konsultimesh dhe është shumë aktiv në jetën politike dhe shoqërore në qytetin ku jeton, në Wil të Kantonit St. Gallen. Përveç si këshilltar në Asamblenë Komunale, ai është dalluar me themelimin dhe drejtimin e organizatës “FairWil”, e cila përpiqet për integrimin dhe trajtimin korrekt të qytetarëve me prejardhje të huaj në këtë komunë. Të përkujtojmë, në Wil rreth 12 për qind të qytetarëve janë me prejardhje shqiptare, një përqindje kjo ndoshta më e larta në Zvicër.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI