Kosova

Arinjtë në Gërmi shkaktojnë shqetësim te qytetarët

Në parkun e Gërmisë është njoftuar se është vërejtur prezenca e një ariu që ka ngjallur panik te qytetarët, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, një qytetar, pa emrin e tij real, ka shpërndarë një informatë se gjatë kohës që ka qenë në Gërmi i ka dalë një ari, i cili ka qenë i gatshëm për sulm.

Pas këtij njoftimi, ka reaguar edhe Komuna e Prishtinës, megjithëse nuk ka pasur asnjë foto apo video për të dëshmuar prezencën e tij.

Drejtori për Emergjenca, Lulzim Fushtica, thotë se nuk është hera e parë që ata kanë një informacion të tillë, porse ende nuk kanë hasur në ndonjë ari.

“Nuk është hera e parë që ne kemi një njoftim të tillë. Edhe para një muaji ka qenë një njoftim i ngjashëm, ne kemi dalë në parkun e Gërmisë, normal që nuk kemi hasë në ari. Duhet pasur parasysh që parku i Gërmisë është park i mbrojtur kombëtar dhe si të tillë, ne nuk kemi asnjë kompetencë të bëjmë largimin e tij, sepse është habitat i kafshëve të egra dhe ne jemi në habitatin e tyre. Por, ne do të marrim të gjitha masat që qytetarët ët mos rrezikohen”, ka thënë ai.

Fushtica njofton se janë duke bërë monitorimin e situatës, duke njoftuar se kanë informacione se ka arinj që jetojnë në Gërmi.

“Ne do të bëjmë vëzhgimin e terrenit, i kemi njoftuar edhe agjencinë për mbrojtjen e pyjeve dhe agjencinë e Veterinës dhe në bashkëveprim do të monitorojmë situatën për arsye se nuk mund të largojmë arinjtë nga habitati i tyre. Ne nuk kemi asnjë provë, asnjë foto. Ka arinjtë që jetojnë ka pasur edhe vjet që janë dëmtuar koshere të bletëve nga arinjtë por ka arinj që jetojnë edhe kafshë tjera të egra, është habitat i mbrojtur”, është shprehur ai.

Fotografi, i cili ka disa vjet që dëshmon prezencën e botës së egër në Gërmi, Albert Krasniqi, thotë se nuk ka hasur asnjëherë në ndonjë ari apo gjurmë të tij.

Sipas Krasniqit, ekziston mundësia që i njëjti të ketë ardhur nga malet e Gollakut.

“Së pari informata kemi marrë edhe ne, dy veta ma kanë konfirmuar që kanë parë ari, por pa e dëshmuar pa foto ose video nuk kisha thënë sigurt se mundet me qenë e sigurt, për shkak se derrin e egër mashkull, në vrapim shumë lehtë mund të ngatërrohet edhe me një ari. Përndryshe ne zakonisht i kemi monitoruar ose edhe prej dëshirës kemi dalë dhe e kemi monitoruar burimet e ujit por as gjatë dimrit as gjatë verës nuk kemi hasë në një shputë të ariut. Shputa e ariut është e veçantë prej kafshëve tjera sepse është e madhe. Por në anën tjetër, Gërmia është vargmal i pyjeve të Gollakut dhe ajo lidhet me Gërmi dhe përderisa ka video incizime që ka pasur në disa vende arinj të cilët kanë prishur edhe kosheret e bletëve atëherë ekziston mundësia të futet edhe në parkun e Gërmisë në kërkim të ushqimit”, ka thënë ai.

Krasniqi tregon se cilat kafshë kanë arritur t’i shohin brenda maleve të Gërmisë.

“Prej kafshëve të egra janë derri i egër, ujku, dhelpra, vjedulla, mace e egër, është shumë e vështirë t’i fotografosh pasi pothuajse është zhdukur bota e egër e Gërmisë. Një kohë e kemi qitur kamerën afër ujit dhe i kemi kapur pasi na u dashke dëshmi për librin që e kam botuar për kafshët brenda Gërmisë. Në përgjithësi nuk ka rrezik në parkun e Gërmisë, të mos bëhet panik, është keq  që institucionet e vendit ta lokalizojnë ariun përmes opiumit”, ka thënë Krasniqi.

Vetë qytetarët thonë se përkundër që e frekuentojnë rregullisht parkun e Gërmisë, nuk kanë parë kurrë asnjë gjurmë të ariut.

Nga “Pylli i Arinjve të Prishtinës”, kanë deklaruar se nuk iu ka ikur asnjë ari nga parku i tyre.