Lajme

Mbahet simpoziumi i tretë i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri

Të shtunën, më 13 qershor u mbajt Simpoziumi i tretë i shoqatës së mjekëve shqiptarë në Austri (SHMSHA) në bashkëpunim me odën e mjekëve të Steiermark-ut.
Bëhet e ditur se ngjarja u zhvillua në ambientet e odës së mjekëve të Steiermark-ut, duke u karakterizuar me një atmosferë profesionale dhe shoqërore.
“Në emër të SHMSHA-së, simpoziumin e hapi Univ. Doz. Dr. med.dent. Lumnije Kqiku, kryetare e SHMSHA, dhe Prof. Gerhard Wirnsberger nga oda e mjekëve të Steiermark-ut, duke theksuar veçantinë e simpoziumit të këtij viti, i cili ofroi një format të ri me një dimension më të gjerë institucional duke u organizuar për herë të parë në bashkëpunim të ngushtë me odën e mjekëve të Steiermark-ut. Ky bashkëpunim është një hap i rëndësishëm në fuqizimin e lidhjeve profesionale midis komunitetit mjekësor shqiptar dhe institucioneve austriake. E veçantë tjetër dhe shumë domethënëse e këtij Simpoziumi ishte edhe pjesëmarrja e delegacionit të dekanatit të fakultetit të mjekësisë të universitetit të Prishtinës me në krye Prof. Dr. Sefedin Muçaj”, thuhet në njoftim, transmeton albinfo.at.
Tutje, bëhet e ditur se simpoziumi mblodhi së bashku profesionistë të shëndetësisë nga Amerika, Franca, Gjermania, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe mbarë Austria për të ndarë përvoja, zhvillime të reja shkencore dhe për të forcuar rrjetëzimin mes mjekëve shqiptarë, që do të shërbejë si një platformë profesionale dhe shkencore për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet profesionistëve të shëndetësisë.
“Simpoziumi u akredituar me 9 pikë DFP (Diplom- Fortbildungs-Programm) nga oda e mjekëve të Steiermark-ut duke ofruar vlerë të shtuar profesionale për pjesëmarrësit. Me këtë organizim, SHMSHA dëshmon rolin e saj si një urë lidhëse, duke theksuar se kontributi i mjekëve shqiptarë në Austri është një vlerë e shtuar për sistemin shëndetësor austriak dhe një burim i çmuar dije për mbarë kombin shqiptar”, u tha ndër të tjera në njoftim.