Lajme

“Në Zvicër ka një ndryshim të trendit, po shkojmë në drejtim të duhur”

Anne Lévy, drejtoreshë e BAG: "Shohim një ndryshim të  trendit. Unë kam besim se ne po shkojmë në drejtimin e duhur për momentin"

Drejtoresha e Zyrës Federale të Shëndetit Publik (BAG), Anne Lévy, sheh përmirësime sa i përket situatës së koronavirusit në Zvicër.

Këtë përshtypje ajo e mbështet në rënien relative të numrave të rasteve në dy javët e fundit, që, sipas saj, është treguese se masat e BAG janë duke prodhuar efektet e tyre të pritura

“Shohim një ndryshim të  trendit”, ka thënë ajo në një intervistë për gazetën “SonntagsBlick”. “Unë kam besim se ne po shkojmë në drejtimin e duhur për momentin”, ka vazhduar ajo.

Lévy mohon se Zvicra nuk ishte përgatitur në mënyrë të mjaftueshme për valën e dytë të koronavirusit, transmeton albinfo.ch. Por ajo pranon se askush nuk priste që numrat të rriteshin kaq shpejt.

“Pavarësisht se sa mirë përgatiteni, në fund të fundit nuk jeni të gatshëm për të gjitha”, është shprehur ajo.

Ndërkohë, dështimet e mundshme në trajtimin e pandemisë së koronavirusit këtë verë kanë shkaktuar polemikë. Autoritetet mohojnë të kenë bërë lëshime në prag të valës së dytë. Sipas epidemiologëve, megjithatë, autoritetet kanë anashkaluar paralajmërimet e tyre të qarta.

Me hjithë rënien e numrit të rasteve dhe të shkallës së infeksionit, kemi një numër të madh të vdekjeve, pikërisht në dy javët e fundit.

I dërguari special i OBSH-së për Covid-19, duke iu referuar “dështimeve” të autoriteteve zvicerane, madje ka paralajmëruar për një valë të tretë në Zvicër.